Gërvalla mohon problemet me Kurtin: Ka përpjekje për të na përçarë
Bashkëkryetarja e Listës Guxo, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mohon se ka probleme me kryeministrin Albin Kurti. Ajo thekson se koalicioni qeverisës është stabil, derisa thotë se të gjitha përpjekjet për t’i përçarë dhe paraqitur kinse ka qëndrime të ndryshme në kabinetin qeveritar, janë naive.
Kryediplomatja kosovare thotë se është në linjë të njëjtë me kryeministrin Kurti për marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të ujdisë.
Duke nënvizur përkrahjen ndaj Kurtit në strategjinë që ka zgjedhur në këtë proces, Gërvalla shton se ka takime të rregullta ndërmjet krerëve institucionalë, në të cilët është gjithmonë e pranishme.
“Të gjitha hapat që i bëjmë edhe në raport me (marrëveshjen) e Brukselit dhe atë të Ohrit dhe në raport me gjitha vendimet që marrim, nuk është sekret që ne kemi një takim të rregullt të udhëheqësve të institucioneve më të larta të shtetit. Pra, kryetarit të Kuvendit, presidencës dhe kryeministrit, në të cilat gjithmonë jam e pranishme edhe unë. Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur”, thotë Gërvalla.
Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi thotë se kryeministri Albin Kurti po e shpërfillë vazhdimisht ministren Gërvalla.
Ajo ngrit dyshime se ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës ka mospajtime të mëdha, sidomos për dialogun Kosovë-Serbi.
“Unë jam thellë e bindur se zotëri Kurti e ka kuptuar se zonja Gërvalla nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme. E kemi pa se nuk është pjesë as e delegacionit në dialog dhe nuk ka informata sa i përket vendimeve që i merr qoftë presidentja apo kryeministri. Nuk është pjesë e asnjë takimi formal të presidentes dhe kryeministrit. Vet kjo pasqyrë të jep idenë të kuptosh se nuk është pjesë e formës së zhvillimit të politikës së jashtme”, deklaron ajo.
Gërvalla, por edhe deputetët e Partisë Guxo që janë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë më të heshtur pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar të njëjtën.
Kjo ka nxitur raportimet për mospajtime brenda kabinetit qeveritar.
Partia Guxo, bashkëkryesohet prej Donika Gërvallës dhe Faton Pecit, i cili është edhe ministër i Bujqëisë në kabinetin qeveritar të kryeministrit Albin Kurti.
Lista Guxo më parë është udhëhequr nga presidentja Vjosa Osmani, e cila pas marrjes së postit të parës së shtetit, ka dhënë dorëheqje nga obligimet partiake
Në zgjedhjet e vitit 2021, Guxo ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.