Gërvalla në Bullgari: Vizat duhet të hiqen tani, qëllimi i Kosovës është anëtarësimi në BE

26 prill 2022 | 13:19

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në forumin BE-Ballkan që po mbahet në Sofja të Bullgarisë, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë tani dhe se për këtë temë shteti ynë nuk duhet të trajtohet ndryshe nga vendet e Ballkanit Perëndimor kur flitet për rrugën evropiane.

“Liberalizimi i vizave është diçka që thjesht duhet të ndodhë tani, sepse më tani s’ka arsyetim. Kemi zgjedhjet në Francë dhe jemi me shpresë se do të ketë progres në këtë drejtim, si dhe shpresojmë që aleatët dhe BE-ja do të ndihmojë për të ecur përpara. Por, vizat nuk janë qëllimi evropian i Kosovës. Qëllimi evropian i Kosovës është anëtarësim i plotë në BE dhe për këtë jemi duke punuar”.

“Përmendja e Kosovës ndryshe prej vendeve të tjera të Ballkanit për rrugën e integrimit drejt BE-së duhet të ndryshojë, sepse Kosova do të aplikojë këtë vit për kandidaturën, si dhe do të aplikojmë për anëtarësim. Më pas do ta shohim se sa serioze do të jetë BE-ja në adresimin e fakteve dhe sfidave që Kosova duhet t’i përmbushë që të bëhet anëtare e BE-së”, ka thënë Gërvalla.

Në këtë forum, Gëvalla ka thënë se Bashkimi Evropian  nuk ka nevojë për një luftë që të kuptojë rëndësinë e integrimit të rajonit dhe se integrimi i tij nuk duhet të tingëllojë si diçka vetëm teknike, por të përfshihet në qëllimet themelore të BE-së.

“Bashkimi Evropian para se të jetë një projekt i suksesshëm ekonomik, është projekt i paqes dhe projekt politik. Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e këtij projekti politik, sepse ky projekt ka vendosur njëherë e përgjithmonë se s’ka më luftë brenda Bashkimit Evropian dhe Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e tij”, ka thënë ajo.

Në kontekstin e sigurisë, Gërvalla ka përmendur edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe ka kërkuar që BE-ja dhe NATO-ja të jenë më syhapura në këtë drejtim.

“Sot pati sërish një sulm kundër policisë në veri të vendit. S’është e para herë, as e dyta, grupe të ndryshme po e sulmojnë policinë derisa ata po e luftojnë krimin e organizuar. Ata po e luftojnë krimin në veri dhe veriu është pjesë e territorit tonë po ashtu. Disa nga sulmet kanë ardhur prej territorit të Serbisë dhe kjo tingëllon për mua e rrezikshme në këtë situatë. BE-ja dhe NATO-ja duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shohin se çka po ndodh në Ballkan, sepse 24 shkurti ka ndërruar gjithçka”, ësht6ë shprehur Gërvalla, duke shtuar se sipas sondazheve 93 për qind e qytetarëve të Kosovës janë pro integrimit në BE.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në luftën…