Gërvalla në Bundestagun gjerman flet për veprimet destabilizuese të Serbisë
Situata e sigurisë në Kosovë dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër paqes dhe sigurisë në rajon ishin temat kyçe të takimit që zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, pati me kryetaren e Komisionit për Mbrojtje të Gjermanisë, Marie-Agnes Strack-Zimmermann dhe anëtarë të këtij komisioni.
Gjatë kësaj bisede të zhvilluar në Bundestagun gjerman me kryetaren dhe anëtarët e Komisionit për Mbrojtje u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërshtetëror në fushën e sigurisë, nevojën e ndërmarrjes së sanksioneve ndaj Serbisë për veprimet destabilizuese të saj në Ballkanin Perëndimor, në njërën anë dhe në anën tjetër vazhdimin e mbështetjes së Kosovës në ngritjen profesionale, logjistike dhe anëtarësim në NATO.
Ministrja Gërvalla në fund të takimit i falënderoi deputetët gjermanë për mbështetjen e tyre për Kosovën dhe nevojën e domosdoshme të ruajtjes së stabilitetit në rajon.