Gërvalla në Emiratet e Bashkuara Arabe diskuton për investimet në Kosovë
Në kuadër të vizitës treditore bilaterale në Emiratet e Bashkuara Arabe, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u takua me kryesuesin e Odës së Ekonomisë dhe Tregtisë të Abu Dhabit, Abdullah M. Mazrui, me të cilin diskutoi gjerësisht për mundësi bashkëpunimi dhe investimi në industri të ndryshme në Kosovë.
Fillimisht ministrja e njoftoi delegacionin pritës rreth potencialit të jashtëzakonshëm që qytetarët e Republikës së Kosovës po e ofrojnë përmes punës së mrekullueshme në shumë sektorë.
Gërvalla ka theksuar nevojën për thellim të bashkëpunimit mes sektorit privat në bashkëpunim me qeveritë e të dy vendeve si ndërmjetësuese dhe fuqizuese të investimeve të reja.
Më pas ministrja Gërvalla u informua rreth pritjeve dhe detajeve të vyera, në mënyrë që të hidhen hapa konkret dhe të pavonuar përmes ekipeve të dedikuara për konkretizim të ideve.
Së fundmi ajo shprehu gatishmërinë e madhe që Republika dhe qytetarët e Kosovës kanë për të punuar së bashku në ngritjen e kapaciteteve dhe nivelit të ekonomisë e tregtisë.