Gërvalla në Forumin e Bledit: Ura s’duhet të mbetet simboli i ndarjes së një qyteti si në kohën e Millosheviç-it
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një panel diskutimi në Forumin e Bledit në Slloveni, tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të hap ura duke iu referuar urës kryesore mbi lumin Ibër, meqë në vlerësimin e saj, urat shërbejnë “për të lidhur qytete e njerëz”.
“Urat nuk janë aty për të mbetur si simbole të vjetra të një qyteti të ndarë nga Slobodan Millosheviç-i”, tha ajo të martën.
Kryediplomatja potencoi se Serbia po kërcënon Kosovën me luftë, ndërkohë që parashtroi kritika edhe për Bashkimin Evropian.
“Në Ballkan kemi sërish kërcënime me luftë që vijnë nga Serbia dhe për këtë duhet të thellohemi kur diskutojmë”, pohoi ajo ndërsa pyeti se “a po bëjmë mjaftueshëm si evropianë për t’i treguar Putinit dhe aleatëve të tij se Bashkimi Evropian nuk është vendi ku pranohet sulmi ndaj një fqinji?”.
Gërvalla tha gjithashtu se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë gjithkujt “paqe dhe siguri”.
“Jemi të përcaktuar për luftimin e strukturave ilegale, bandave kriminale që nuk rrezikojnë vetëm shtetin por edhe qytetarët në Veri”.
Në vlerësimin e saj Kosova nuk duhet të ndalet “së bëri gjërat e duhura vetëm pse në anën tjetër të kufirit nuk duan të na shohin tek ecim përpara”.
“Vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës është problem për fqinjin verior. Ky është problemi”, shtoi ajo. AlbanianPost.