Gërvalla në Kanada, thekson veprimet destabilizuese të Serbisë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kanada.
Në njoftimin e lëshuar për medie është thënë se ajo është takuar me homologen e saj kanadeze, Melanie Joly.
“Gjatë këtij takimi, e shoqëruar edhe nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Kanada, Mimoza Kusari-Lila dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, pasi e falënderoi për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës në çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e saj, Ministrja Gërvalla e njoftoi homologen e saj rreth situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë duke theksuar veprimet destabilizuese të Serbisë, e cila sot përbën një rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore”.
“Ministret Gërvalla dhe Joly diskutuan rreth fuqizimit të partneritetit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës, zhvillimit të qëndrueshëm, investimeve strategjike dhe bashkëpunimit në sektorin publiko-privat”, ka njoftuar MPJD-ja.
Në fund të takimit, Gërvalla ia ka dhuruar Jolyt pullën postare që simbolizon 15-vjetorin e krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe mirënjohjen për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën.