Gërvalla në Kroaci, merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut
Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Kroaci për të marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut.
Kjo platformë tashmë tradicionale paraqet një mundësi të mirë për diskutimin e sfidave aktuale të politikës ndërkombëtare.
Gjatë këtij forumi, ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sfidave të paqes dhe stabilitetit në Evropë si dhe do të ndajë përvojën e Republikës së Kosovës me proceset e integrimeve euroatlantike dhe reformat e thella në sundimin e ligjit, ngritjen e standarteve të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik.
Ajo do të theksojë gjithashtu rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit multilateral për tejkalimin e sfidave globale.
Në margjina të Forumit të Dubrovnikut, mnistrja Gërvalla do të zhvillojë edhe takime bilaterale me ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.