
Gërvalla në Munih takohet me opozitën e Bjellorusisë
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka realizuar një takim në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Ajo ka bërë me dije se ka takuar përfaqësuesit e opozitës në Bjellorusi.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka treguar se çka kanë biseduar në këtë takim.
“Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, pata kënaqësinë të takoj Përfaqësuesen e opozitës në Bjellorusi, znj. Sviatlana Tsikhanouskaya. Diskutuam për sfidat e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e lëvizjeve demokratike e proevropiane në Evropë. Gjatë bisedës, ndava përvojën e Kosovës si një vend me përparim të jashtëzakonshëm në forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Theksova se Kosova është një shembull i suksesit demokratik në rajon dhe një frymëzim për të gjithë ata që luftojnë për liri dhe dinjitet. Gjithashtu, diskutuam për sfidat me të cilat përballet opozita demokratike në Bjellorusi, duke shprehur mbështetjen e Kosovës për përpjekjet e bjellorusëve drejt demokracisë. Konferenca e Sigurisë në Mynih është një platformë kyçe për të forcuar aleancat që përcaktojnë të ardhmen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut – një kauzë për të cilën Kosova ka treguar se është në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Gërvalla.