Gërvalla në takim me ambasadorët QUINT-it në NATO: Kosova ka bërë hapa gjigant 25 vjet pas intervenimit
Në vazhdën e takimeve të sotme në NATO, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, e shoqëruar nga ambasadori Zemaj, përfaqësues i Republikës së Kosovës për marrëdhënie me NATO-n dhe shefja e Kabinetit të MPJD-së, Triera Kasumi-Berisha, ka mbajtur një takim me shtetet aleate në NATO të grupit të QUINT-it, i cili përbëhet nga përfaqësuesja e përhershme në NATO e SHBA, ambasadorja Julianne Smith, ai i Mbretërisë se Bashkuar, ambasadori David Quarrey CMG, e Gjermanisë, Dr. Géza Andreas von Geyr, i Italisë Marco Peronaci dhe e Francës, ambasadorja Muriel Domenach.
Takimi është mbajtur nën përkujdesjen e veçantë të Përfaqësuesit te Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në NATO, ambasadorit David Quarrey CMG.
Gjatë takimit me Grupin e QUINT-it, i përbërë nga vende që në të njejtën kohë janë aleatë dhe anëtarë të NATO-s, OECD dhe G7/G20 iu kushtua vëmendje kryesore procesit te përparimit dhe thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me selinë e NATO-s dhe integrimeve euroatlantike të Kosovës.
Në njoftim thuhet se vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi iu kushtua paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkan. Ministrja Gërvalla theksoi rolin kyç që Kosova luan në këtë pjesë të Evropës si dhe kontributin e vazhdueshëm të vendit tonë jo vetëm përmes rreshtimit dhe mbështetjes për Ukrainën edhe si pjesë e Grupit te Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, pranimit të refugjatëve nga Afganistani si dhe çështje të tjera me peshë të rëndësishme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe përtej.
Ministrja Gërvalla theksoi po ashtu se vizita e sotme në NATO është e një rëndësie të dyfishtë, pasi që ndodhemi në prag të shënimit të 25-vjetorit të Intervenimit Humanitar Ushtarak të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës.
“Që nga ajo periudhë Kosova ka bërë hapa gjigant duke përqafuar vlerat euroatlantik, duke u rreshtuar krah aleatëve të saj për të kontribuar edhe më tej si ofruese e sigurisë ne botë dhe duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për anëtarësim në NATO dhe mekanizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë”, tha Ministrja Gërvalla.
Mbështetja e vendeve të KUINT-it ka qenë thelbësore dhe shumë intensive për punën dhe aktivitetet e Republikës së Kosovës në NATO dhe me NATO-n, për te cilën Ministrja Gërvalla shprehu falënderim dhe vlerësim te lartë.