Gërvalla në takim me homologun kroat: Të finalizohet anëtarësimi i Kosovës në KiE
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim bilateral me homologun e saj kroat, Gordan Grlic-Radman, në Forumin e Dubrovnikut.
Fuqizimi i bashkëpunimit në proceset e integrimit euroatlantik të Kosovës, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri, mbrojtje dhe shkëmbime tregtare, ishin temat në fokus të takimit.
Gërvalla ka shprehur mirënjohjen ndaj Kroacisë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), duke deklaruar që ky proces duhet të finalizohet sa më shpejtë me anëtarësimin e plotë në KiE.
Gërvalla me Radman ka folur edhe rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë në rajon dhe nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes shteteve pro perëndimore të Ballkanit Perëndimor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.