Gërvalla në Uashington: Serbia satelit i Rusisë, kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Serbia është kthyer në kërcënim jo vetëm për Kosovën por për gjithë rajonin,
Kështu ka thënë ajo në tryezën me titull “Synime dhe shqetësime Rajonale”, të organizuar nga Instituti “Hudson” në Uashington të ShBA-së.
“Duke përshkruar zhvillimin e jashtëzakonshëm të Kosovës, të ekonomisë së saj, por edhe të forcimit të të gjitha strukturave të sigurisë dhe forcave të saj të armatosura theksova përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për vlerat demokratike dhe vullnetin e palëkundur për anëtarësim në NATO dhe BE”.
“Duke iu përgjigjur shqetësimeve të shumta të të pranishmëve, theksova se Serbia është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë jo vetëm për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, por për të gjithë rajonin, duke potencuar rëndësinë e ndërrimit të strategjisë së demokracive perëndimore në raport me Serbinë si kundërshtaren më të fuqishme të vlerave Perëndimore dhe demokratike në Evropë dhe domosdoshmërinë e konfrontimit të Serbisë me rrezikun që paraqet për rajonin por edhe për paqen në Evropë”.
“Si aleate, madje edhe satelit i Rusisë, ajo jo vetëm që sulmon shtetet fqinje, siç ishte rasti me 24 shtatorin e vitit të kaluar në Kosovë, por edhe i garanton Rusisë, Kinës dhe tashmë edhe Iranit hapësirë të mjaftueshme për të vepruar në Evropë nga thellësia e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Gërvalla.