Gërvalla niset për në Lituani
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, merr pjesë në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, që do të mbahet më 7 dhe 8 nëntor 2024 në Vilnius, Lituani, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.
Ministrja e Jashtme njofton se pjesëmarrja e ministres Gërvalla në këtë forum përfaqëson përkushtimin e Kosovës për avancimin e demokracisë dhe përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike.
“Gjatë forumit, ministrja Gërvalla do të theksojë progresin e Kosovës në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror për të mbrojtur demokracinë përballë ndikimeve destabilizuese nga regjimet autokratike”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në një kohë kur sfidat dhe rreziqet ndaj vlerave demokratike po rriten, kjo konferencë është një platformë e rëndësishme për të afirmuar rolin e Kosovës në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe evropiane.