Gërvalla para votimit për anëtarësim në KE: Kosova i plotëson kushtet
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka publikuar fotografi para takimeve me delegacione dhe komitete të Këshillit të Evropës (KE) para votimit për anëtarësimin e Kosovës.
Gërvalla ka thënë se nesër (e martë) pasdite do të votohet rekomandimi për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në KE.
Ajo ka theksuar se nëse nesër ka një votim të suksesshëm atëherë votimi final mund të mbahet me 16 maj.
“Një votim i suksesshëm nesër pasdite do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit”, ka shkruar Gërvalla në “Facebook”.
Postimi i plotë i Gërvallës:
Me zëvendësministrin Kreshnik Ahmeti dhe ambasadorin Lulzim Hiseni, duke planifikuar takimet e fundit me delegacione dhe komitete të Këshillit të Evropës para votimit.
Nesër, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, voton rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në KiE.
Një votim i suksesshëm nesër pasdite do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.
Kosova është e përgatitur dhe plotëson tashmë, siç e ka konfirmuar edhe raporti i Këshillit të Evropës, i paraqitur më 27 mars nga Dora Bakojanis, edhe zyrtarisht të gjitha kushtet për anëtarësim të plotë.