Gërvalla: Po i rrisim masat për sigurinë e kufijve të Kosovës

28 shkurt 2022 | 16:52

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një konferencë të përbashkët me homologun e saj nga Hungaria, Peter Szijjarto, ka deklaruar se Kosova është e sigurt dhe çdo ditë po punojnë që të rritet vigjilenca dhe masat për sigurinë e kufijve.

“Me plot siguri mund të themi që Kosova është e sigurt dhe çdo ditë po punojmë që të mbetet e tillë. Jemi duke rritur vigjilencën dhe masat për sigurinë e kufijve tanë bashkë me BE-në dhe NATO-n. Kosova ka miq të fortë dhe trupa të NATO-s në vend”, ka thënë ajo.

Siç ka theksuar ajo, gjatë këtij takimi është ngritur edhe diskutimi në lidhje me fqinjët e përbashkët, Serbinë.

“Serbia është shndërruar në vendin e vetëm në rajon në të cilin Rusia mund të operojë financiarisht dhe ushtarakisht. Një qasje e tillë është në kundërshtim me qëndrimin e BE-së dhe NATO-s dhe rrezikon sigurinë ne Ballkan. Nga homologu im kërkova që Hungaria si anëtare e BE-së dhe NATO-s he si shtet mik i Serbisë, të angazhohet më konkretisht për një ndryshim të qasjes shumë agresive të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës”, ka thënë Gërvalla.

Më tutje, Gërvalla ka deklaruar se presin nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrin masa paraprake për të ndaluar Serbinë të bëj atë që Rusia po bën me Ukrainën.

Ministrja  Gërvalla ka listuar krahasimet e veprimeve të Putinit në Rusi me ato që Aleksandër Vuçiq po bën me Kosovën.

“Kosova kërcënohet edhe sot nga Serbia, ashtu siç është kërcënuar Ukraina nga Putini. Ashtu si Putini me Ukrainën edhe Aleksandër Vuçiq ia mohon Kosovës të drejtën për të ekzistuar”.

“Ashtu si Putini në Ukrainë edhe Vuçiqi manipulon faktet historike dhe Kosovën e quan pjesë të përhershme të Serbisë. Ashtu si Putini në Ukrainë, Vuçiqi gënjen dhe pretendon që po kryhen krime ndaj serbëve në Kosovë. Ashtu si Putini në Ukrainë dhe Bjellorusi, Vuçiqi propagandon të drejtën e Serbisë për të dominuar rajonin”, ka deklaruar Gërvalla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen…