Gërvalla: Propozimi i ri i BE-së për Asociacionin ka një qasje tjetër nga të kaluarit
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se propozimi i ri i Bashkimit Evropian për Asoaciacionin e Komunave me Shumicë Serbe ka një qasje krejt tjetër nga të kaluarit.
Në një intervistë për Deutsche Welle ajo ka shtuar se të gjitha gjërat do të diskutohen gjatë një procesi intensiv me Bashkimin Evropian dhe sipas saj, e gjitha kjo varet se a do të jetë ky propozim, ai i cili do të sjellë normalizimin përfundimtar me Serbinë apo jo, raporton Klan Kosova.
Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë:
Intervistë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashmte të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz për pritmëritë e Kosovës, me rastin e konferencës së Evropës që u zhvillua të enjten, më 2 nëntor 2023 në Berlin.
DW: Ministjra gjermane e punëve te Jashtme, Annalena Baerbock, ftoi në Berlin, më 2 nëntor, përfaqësues të vendeve të ndryshme të BE-së dhe vendeve kandidate dhe aderuese për të biseduar për të ardhmen e BE-së. Cilat janë pritmëritë e Kosovës?
Gërvalla Schwarz: Është mirë që Gjermania ka ftuar të bisedojmë për Bashkimin Evropian së bashku me shtetet të cilat e aspirojnë Bashkimin Evropian. Është po ashtu me rëndësi që të mos harrojmë prioritetet kryesore me të cilat ballafaqohet Bashkimi Evropian dhe të gjitha shtetet në Evropë, në kohërat kur lufta është rikthyer në Evropë. Në kohërat kur lufta rrezikohet të shpërndahet edhe më tej në kontinentin tonë, nevojitet një gjuhë e qartë, një strategji e qartë e Bashkimit Evropian dhe në radhë të parë edhe e shteteve të mëdha dhe të fuqishme si Gjermania.
DW: Çfarë duhet të bëjë Bashkimi Evropian për të zgjidhur ngërçin mes Kosovës dhe Serbisë?
Gërvalla-Schëarz: Jemi në pritje të deklarohet për atë çka ka ndodhur në 24 shtator. Ende jemi në pritje dhe ende përgjigja që dëgjojmë është që ende nuk kemi përfunduar hetimet. Mendoj që do të duhet të ishin përfunduar kohë më parë, sepse dëshmitë janë shumë të qarta rreth asaj çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, akti i 24 shtatorit është kryer me metoda terroriste, por ka qenë një akt i hapur që ka tentuar të aneksojë, pra, të pushtojë territor të Kosovës dhe presim një gjuhë shumë të qartë nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian se përndryshe besimi për të negociuar me Serbinë është dobësuar shumë.
DW: Ju edhe më parë keni bërë thirrje në adresë të BE-së, por ajo nuk e ka ndryshuar qëndrimin. Çfarë prisni të ndodhë konkretisht?
Gërvalla-Schwarz: Ne vetëm mund t’i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, nuk mund t’i imponojmë qëndrimet tona. Ne mund të sensibilizojmë dhe të jemi të qartë, qoftë në paraqitjen e dëshmive rreth aktit të agresionit që është kryer, po ashtu që të shfrytëzojmë të gjitha kanalet diplomatike dhe publike për të sensibilizuar shtetet. Kjo është ajo çka mund të bëjmë ne, tjetra ka të bëjë me Bashkimin Evropian, dhe unë nuk besoj që Bashkimi Evropian dëshiron dhe kjo konferencë është një mundësi e mirë, nuk besoj që BE të mos humbasë më shumë nga kredibiliteti edhe ashtu shumë i shpenzuar në rajonin tonë.
DW: A e ka pranuar Kosova zyrtarisht Asociacionin…
Gërvalla-Schwarz: Nuk e di për cilin asociacion e keni fjalën, ka një asociacion i vitit 2013, është bërë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën Gjykata e vitit 2015 e ka shpallur si shkelje të më shumë se 22 neneve. Ne kemi një propozim të ri, një dokument të ri të Bashkimit Evropian, në vija të trasha ka një qasje krejt tjetër nga në të kaluarët. Por këto janë të gjitha gjërat që ne do t’i bisedojmë gjatë një procesi intensiv me Bashkimin Evropian dhe e gjitha kjo varet se a do të jetë ky propozim, ai i cili do të sjellë normalizimin përfundimtar me Serbinë apo jo. Nëse çfarë do lloj dokumenti shërben vetëm për Kosovën dhe nuk shërben për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë atëherë ne jemi shumë skeptik se sa i përshtatshëm është ai për t’u diskutuar.
DW: Kancelari gjerman Olaf Scholz tha që ju e keni pranuar propozimin për Asociacionin.
Gërvalla-Schwarz: Po të lexoni me kujdes deklaratën e kryeministrit pas takimit në Bruksel, atëherë do ta dini që kryeministri ka bërë një deklaratë të hapur dhe të sinqertë për nënshkrim të tri dokumenteve. Po atë ditë Serbia e ka refuzuar atë ofertë të kryeministrit tonë përmes Bashkimit Evropian, prandaj një gjë e tillë tani është shtyrë për në të ardhmen, dhe se si do të ndodhë në të ardhmen, dhe a do të ndodhë në të ardhmen, mbeten të gjitha pyetje të hapura.