Gërvalla: Sot nuk ishte dita e vendimit, por e nisjes së fazës së fundit për liberalizimin e vizave
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka theksuar se Sot në Bruksel, procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara.
“Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm”, ka shkruar Gërvalla në “Facebook”.
Ajo ka bërë me dije se Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”.
“Ne e mirëpresim vendosjen e çështjes së vizave në agjendë të Këshillit, për herë të parë në këtë formë. Po ashtu falënderojmë Kryesuesen e rradhës të Këshillit, Republikën e Çekisë, për angazhimin që procesi të ecë përpara sa më parë. I jemi falendërues vendeve anëtare që shprehin përkrahje për procesin që do duhej përmbyllur me heqjen e barrikadave të izolimit për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka shtuar se: “Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”.