Gërvalla takohet me ambasadorin e Belgjikës, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në KE

05 shkurt 2024 | 12:05

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Gregoire Cuvelier, me të cilin ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Bashkëpunimi në proceset integruese të Republikës së Kosovës, mbështetja e Belgjikës në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare ishin temat kyçe të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, pati me ambasadorin e parë rezident të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, z. Gregoire Cuvelier”, ka njoftuar MPJD-ja.

Sipas këtij njoftimi ministrja Gërvalla dhe ambasadori Cuvelier, kanë folur edhe lidhur me situatën politike në vend.

“Biseda u përqendrua rreth situatës politike në vend, angazhimeve të institucioneve në siguri, demokratizim dhe zhvillim ekonomik, duke theksuar se Kosova mbetet e vendosur në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në vend. Ministrja Gërvalla dhe ambasadori Cuvelier biseduan edhe për mërgatën e Kosovës në Belgjikë, bashkëpunimin në kulturë, arsim dhe shkencë si dhe mundësitë e investimeve në Kosovë”, ka njoftuar MPJD-ja.

Në këtë takim, ministrja Gërvalla, ka falënderuar ambasadorin Cuvelier për mbështetjen e shtetit belg ndaj Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre qytetarë nga Kosova janë arrestuar në Tiranë. Bëhet fjalë…