Gërvalla takon homologun arab, kërkon mbështetje për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me Ministrin e Jashtëm të Arabisë, Princi Faisal bin Farhan Al-Saud, teksa po zhvillon vizitë zyrtare në Arabinë Saudite.
Gërvalla ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që Arabia Saudite i ka ofruar Kosovës në periudha të ndryshme dhe përkrahjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Ajo e ka njoftuar Princin Faisal bin Farhan Al-Saud me prioritetet e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, e posaçërisht të politikës se jashtme, e cila në fokus qendror ka forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë pikë, Gërvalla ka kërkuar mbështetjen e Arabisë Saudite” thuhet në kumtesën e MPJD-së.
Kryediplomatja e Kosovës ka bërë të ditur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin bilateral me Arabinë Saudite e posaçërisht në rrafshin ekonomik. Ajo ka theksuar se Kosova tashmë ka krijuar parakushte mjaft të mira për investime të huaja, të cilat shihen si të domosdoshme për krijimin e vendeve të reja të punës.
Gërvalla ka inkurajuar organizimin e forumeve të përbashkëta ekonomike, të cilat do t’i shërbenin komunitetit biznesorë të të dy vendeve.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan Al-Saud, ka ritheksuar qëndrimin përkrahës të shtetit të tij karshi Kosovës dhe angazhimit të saj për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar.