Gërvalla takon homologun letonez, bisedojnë për aplikimin e Kosovës në KE
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është takuar të mërkurën me homologun e saj nga Letonia, Krisjanis Karins.
Gërvalla ka bërë me dije se me Karinsin kanë diskutuar rreth aplikimit të e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) dhe për sigurinë në rajon.
Më tuje, ajo ka treguar se ka kërkuar veprime kolektive për t’u përgjigjur agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.
“Mirënjohës për bisedën e hollësishme me ministrin e Jashtëm të Letonisë Krisjanis Karins. Diskutuam për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe çështjet thelbësore të sigurisë në rajon. Bëra thirrje për veprime kolektive, përfshirë sanksionet e BE-së, në përgjigje të agresionit të Serbisë kundër Kosovës”, ka shkruar Gërvalla në “X”.
Takimin në fjalë e ka njoftuar edhe kryediplomati letonez, i cili ka thënë se Letonia e mbështet aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.