Gërvalla takon ministrin e Zhvillimit Ndërkombëtar të Kanadasë, në fokus investimet strategjike
Bashkëpunimi në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, investimeve strategjike, investimeve në energji të pastër dhe mbrojtje të mjedisit, ishin temat në fokus të takimit që zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pati me ministrin e Zhvillimit Ndërkombëtar të Kanadasë, Ahmed Hussen.
Gjatë këtij takimi ministrja Gërvalla, e shoqëruar edhe nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Kanada, Mimoza Kusari-Lila, e njoftoi ministrin Hussen rreth progresit që ka arritur Republika e Kosovës në fushën e demokratizimit të vendit, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes, respektimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillim ekonomik.
Më tej ministrja Gërvalla dhe ministri Hussen biseduan edhe rreth potencialit të madh të Republikës së Kosovës në zhvillim ekonomik, duke u nisur nga rinia, pasuritë natyrore dhe ambienti i favorshëm i të bërit biznes.
Ministrja Gërvalla dhe ministri kanadez Ahmed Hussen theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve duke u zotuar për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.