Gërvalla tregon se çfarë i thanë ambasadorit Jashari policët që po mbahen në Kralevë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dhënë detaje se çfarë i kanë thënë tre policët e rrëmbyer shefit të Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jasharit.
“Sot, ambasadori Jashari është takuar me tre oficerët, Beqir Sefa, Rifat Zeka, Shemë Mustafa, të cilët janë rrëmbyer në territorin e Kosovës më 14 qershor. Vizita është realizuar në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë, ku tre oficerët janë duke u mbajtur nga 16 qershori. Takimet janë mbajtur ndaras, pra me secilin nga 15 minuta. Secili prej oficerëve e ka përshkruar ngjarjen e rrëmbimit të tyre nga momenti i kapjes deri të dalja para prokurorit dhe gjykatësit në Gjykatën e Kralevës më 16 qershor. Ata kanë deklaruar si në vijim: më 14 qershor 2023, rreth orës 12:30 duke ngrënë dreken, papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar, të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë të Serbisë, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe me thes në kokë i kanë dërguar në veturat e tyre. Me rastin e sulmit ndaj tre policëve, zoti Sefa ka theksuar se disa nga pjesëtarët kanë shkrepur armët në ajër dhe sipas të gjitha gjasave, mendon ai, për të shkaktuar panik tek oficerët policorë dhe për të ta bërë më të vështirë rezistencën e tyre”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për medie me kryeministrin Albin Kurti.