Gërxhaliu: Agjenda politike po i dëmton proceset ekonomike
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se dominimi i agjendës politike në Kosovë po i dëmton proceset ekonomike.
Në një bisedë për “Ekonomia Online”, Gërxhaliu numëron si sfidat kryesore me të cilat është përballur komuniteti i biznesit në vitin 2017 politizimin e skajshëm të proceseve në Kosovë, mungesën e sundimit të ligjit, informalitetin dhe ekonominë e kriminalizuar, si dhe problemet me energjetikë.
“Fakti që 19 vjet pas luftës e kemi këtë shkallë të papunësisë – që në vitin 2017 ka një rritje prej 2,9 për qind në krahasim me vitin 2016 – e dëshmon më së miri sa larg jemi nga këto procese dhe dëshirat që i kemi për stabilitet ekonomik. Kosova edhe më tutje e vazhdon avazin e eksportit të parasë së gatshme, duke importuar mallra nga jashtë… Djersa e diasporës kosovare kudo në botë, e cila dërgohet në Kosovë, qoftë në formë të remitancave qoftë në forma tjera, është e gjykuar paraprakisht për t’u eksportuar jashtë”, u shpreh ai.
“Definitivisht duhet të pranohet realiteti që në Kosovë falë dominimit të agjendës politike janë anashkaluar procese ekonomike. Fakti që në Parlamentin e Kosovës, gjatë vitit 2017, janë kaluar vetëm pesë ligje e dëshmon më së miri se sa shumë në Kosovë flitet për politikë dhe sa pak bëhet për ekonomi. Në Kosovë flitet për krizë ekonomike, por gjeneza e krizës ekonomike është mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit dhe kriza juridike”, ka shtuar ai.
Sipas kreut të OEK-ut, agjenda e stërngarkuar politike nuk krijon hapësirë për rezultate pozitive në ekonomi.
“Viti 2017 është karakterizuar me një agjendë politike të stërngarkuar. Fakti që kemi pasur tri palë zgjedhje e dëshmon këtë realitet të hidhur. Në një shtet ku agjenda politike është dominante shumë është vështirë për të biseduar për rezultate konkrete në sferën ekonomike”, ka thënë ai.