Gërxhaliu: Anashkalimi i ekonomisë nga qeveria aktuale, shqetësues
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se ekonomia duhet të jetë në fokus dhe prioritet i qeverisë aktuale.
Ai ka shprehur shqetësimin se agjenda politike dhe dialogu i stërzgjatur me Serbinë, po e qesin në rend të dytë rëndësinë që duhet të ketë zhvillimi ekonomik.
“Shqetësimi më i madh që e ka kapluar Kosovën, por edhe brenga më e madhe e neve si njohës të ekonomisë është anashkalimi i rëndësisë së ekonomisë nga institucionet aktuale. Duhet të kuptohet se rëndësia e ekonomike duhet të jetë më prioritete sesa ajo politike”.
“Është vërtetë që në këtë kohë në Kosovë s’mund të flitet pa ngjyra politike dhe kjo ndoshta përfshirje e politikës dhe ekonomisë po i ngadalëson shumë procese të rëndësishme ekonomike sepse vetëm përmes një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm Kosova mund të ketë stabilitet social, mund të ketë indikatorë të rëndësishëm ekonomikë që janë në funksion të qendrueshmërisë ekonomike dhe edhe stabiliteti politik varet nga zhvillimi ekonomik. Andaj besoj që ekonomia duhet të jetë në fokus dhe prioritet në qeverinë aktuale sepse në qoftes se edhe më tutje do tentojmë të jem të barabartë me varfëri do të jem një shtet varur nga importi dhe paraja e gatshme në Kosovë do jetë gjithmonë e eksportuar, definitivisht ardhmëria do jetë e zymtë dhe këtë nuk e meriton qytetari dhe Republika e Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu për “Ekonomia Online“.
Eksperti i ekonomisë, ka thënë se fakti se ka një agjendë politike dhe mosarritja e një ujdie për zgjidhje të këtij problemi sot Kosova është e ndëshkuar nga BE-ja.
Gërxhaliu ka theksuar se duhet një rimëkëmbje qoftë në aspektin diplomatik, ekonomik, promovues, sundim të rendit të ligjit në mënyrë që Kosovës t’i kthehet reputacioni të cilin e ka pasur dhe duhet ta ketë.