Gërxhaliu: Çdo lloj takse apo reciprociteti do të jetë grusht për Kosovën

30 maj 2021 | 15:54

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të mendojë për reciprocitet me Serbinë, por për avancim të raporteve në agjendën evropiane.

Ai ka thënë se duhet të kuptohet që Evropa është në një momentum të ri jo vetëm në aspektin pandemik, por edhe atë politik. “Qeveria Kurti është duke u ballafaquar me presione të shumta qoftë nga Evropa apo nga ShBA-ja për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zgjedhjen e një modaliteti për fundin e konfliktit të stërzgjatur në mes të dyja shteteve. Duhet të kuptohet se problemet e dialogut për qeverinë Kurti janë të mëdha. Andaj duhet kohë dhe durim që ato të kanalizohen dhe të rreshtohen në mënyrën e duhur”, ka thënë Gërxhaliu për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka folur edhe për kronologjinë e përfaqësimit të Kosovës në mekanizmat ekonomikë ndërkombëtarë. “Në aspektin rajonal Kosova nuk ka qenë e përfaqësuar në mënyrë të duhur gjatë viteve të fundit qoftë në Odën Ndërkombëtare të Tregtisë – International Chamber of Commerce (ICC), qoftë në sekretariatin e CEFTA-s dhe në forumet e tjera ekonomike. Në këtë mënyrë dërgimi i njerëzve jokompetentë në këto iniciativa Kosovën e ka sjellë në një pozitë të parëndësishme. Në vitin e kaluar në Sofje është mbajtur Samiti i Berlinit ku janë nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor të cilat kanë të bëjnë me agjendën gree. Po në të njëjtën kohë është nënshkruar marrëveshja për një hapësirë rajonale për bashkimin ekonomik”, ka thënë ai.

Duke folur për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave, Gërxhaliu ka thënë se ketë problem duhet adresuar në Bruksel. “Janë katër parime bazike që duhet të arrihen nëse vërtet mendojmë se Ballkani Perëndimor duhet të frymojë lirshëm: lëvizja e lirë e qytetarëve, lëvizja e lirë e mallrave, ajo e kapitalit dhe, mbi të gjitha, lëvizja e lirë e shërbimeve. Në këtë drejtim Kosova ka pasur pengesa permanente dhe përfundimisht është koha që këto probleme të adresohen. Në këtë drejtim duhet të bëhet presion”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu në këtë bisedë ka folur edhe për taksën 100 për qind e cila ishte vendosur në qeverinë Haradinaj ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Ai ka thënë se me këtë taksë vendit iu bë dëm i madh në arenën ndërkombëtare.

“Në Kosovë flitet shumë kinse për efektet ndaj taksës 100 për qind ndaj Serbisë, por një qasje e tillë ka qenë dëm shumë i madh që i është bërë Kosovës në sferën politike, ekonomike dhe strategjike. Të gjithë mbështetësit e Kosovës u kthyen kundër saj dhe filluan ta mbështesin Serbinë, duke e konsideruar atë si viktimë e, në fakt, ishte e kundërta, sepse të gjitha të këqijat në Ballkan kanë ardhur nga Serbia”, është shprehur ai, duke theksuar se gabimet e tilla nuk duhet të përsëriten. “Nuk duhet të kemi gabime të tilla. Dialogu i argumentuar duhet të jetë argument kyç për ardhmërinë. Është e vërtetë që opozita kërkon masa më radikale nga qeveria Kurti, por besoj se vetë fakti se jemi në këtë momentum ku dialogu është duke u dizajnuar atëherë duhet të jetë një formë e qasjes më e mirë sesa një taksë apo reciprocitet që do ta kthente Kosovën në pikën zero. Për këtë duhet të bëhen kampanja që të vetëdijesohen qytetarët për patriotizmin ekonomik”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se tani pozicioni i Kosovës dallon nga ai i vitit 2016. “Duhet të kuptohet se kundërshtari më i madh ka qenë LV-ja, por tash duhet të kuptohet se pozicioni në qeveri është krejt tjetër. Kjo nuk duhet të jetë e analizuar nga dimensioni partiak, por nga ajo çfarë përfiton Kosova. Nëse vendoset të ketë sërish taksë apo reciprocitet (me Serbinë) do të jetë një grusht i rëndë për Kosovën, sepse ne kemi nevojë për partneritet ndërkombëtar. Është e detyrë e opozitës të kritikojë dhe ka arsye në aspektin e dimensionit kohor pasi LV-ja ishte e zëshme më herët. Megjithatë, nuk është Kosova e vitit 2021 e njëjtë me atë të vitit 2016. Në të kaluarën, qoftë nga Pakti i Stabilitetit dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim Ekonomik, Kosova nuk ka qenë e përfaqësuar. Prandaj niveli i përfaqësimit duhet të jetë detyra e parë e qeverisë Kurti. Adresa për zgjidhjet e barrierave ekonomike duhet të jetë Bashkimi Evropian dhe ICC dhe Sekretariati i CEFTA-s. Të gjitha këto duhet të jenë të argumentuara. Duhet të bëhet presion që të jemi në familjen evropiane. Po ashtu, prioritet i prioriteteve duhet të jetë eliminimi i katër barrierave të procesit të Berlinit”, ka thënë Gërxhaliu.

Albulena S. MAVRAJ / Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj sot…