Gërxhaliu: Çfarë blinim në vitin 2021 me 100 euro, sivjet s’blejmë as me 200
Çfarë në vitin 2021 kemi blerë me 100 euro sot s’mund ta blejmë as me 200. Kështu ka thënë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.
Buxhetin e miratuar prej 3 miliardë eurosh, Gërxhaliu ka thënë se nuk duhet marrë me “eufori” ngase ai është rezultat i inflacionit.
“Në rrethanat ekzistuese në të cilat gjendet Kosova nuk ka arsye për eufori”.
“Një buxhet i tillë edhe është pritur falë inflacionit dhe ngritjes së çmimeve që në momente të caktuara e kanë kaluar edhe shifrën 100 për qind”, ka thënë ai në një prononcim për “Ekonomia Online”.
Njohësi i çështjeve ekonomike, nuk ka kursyer nga kritikat as qeverinë, për të cilën ka thënë se duhet të ketë “më tepër dialog dhe transparencë”.
“Atë çfarë e kemi blerë në vitin 2021 me 100 euro këtë vit nuk mund të blejmë 200 euro, dhe e tëra kjo ka ndikuar në rritjen e buxhetit në aspektin financiar”, ka thënë ai.
Vëmendje më të shtuar, Gërxhaliu ka kërkuar ndaj sektorit privat, pasi sipas tij ai “po anashkalohet” nga shteti.