Gërxhaliu: Dënimi i ‘Elkos Group’-it, politik
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një konferencë për medie ka folur lidhur me vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për dënim e kompanisë “Elkos Group”, e cila u dënua me 1 milion e 300 mijë euro.
Gërxhaliu vendim të AKP-së e ka quajtur politik dhe hakmarrje ndaj deputetit të LDK-së, njëherësh pronar i “Elkos Group”-it, Ramiz Kelmendit.
“‘Elkos Gruop’-i, është brend me të cilin krenohet ndërmarrësi kosovar dhe ka mbi 3 mijë të punësuar në Kosovë dhe Shqipëri. Pra tre mijë familje jetojnë me paga të kësaj kompanie. Po ashtu është edhe njëri ndër paguesit më të mëdhenj të tatimeve në Kosovë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një politzimim të skajshëm nga agjencioni”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka thënë se raste të tilla nuk i bëjnë nderë biznesit dhe ndërmarrësisë në Kosovë.
Ndërsa përfaqësuesi i “Elkos Group”, Fatos Islami, ka thënë se kjo kompani është gjobitur për shkaqe politike, që sipas tij janë të shumta rastet kur për shkak të bindjeve politike të Kelmendit dënohet kjo kompani. “Ne e kemi respektuar komplet kontratën që nga privatizimi me ‘spin-off special’, madje kemi vazhduar me ruajtjen e punësimit të punëtorëve dhe pas tri vitesh. Dënimi është politik dhe ne do të bëjmë ankesë për këtë çështje”, ka thënë Islami.
/Epoka e re/ A. Mavraj/