Gërxhaliu: Dështimi i ‘Kosovës së re’ do të ketë pasoja të rënda
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe njohësi i zhvillimeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mosndërtimi i termocentralit “Kosova e re”, apo dështimi për fillimin e ndërtimit të këtij termocentrali do të ishte një grusht i madh kundër zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Gërxhaliu i cili së fundi është emëruar sekretar gjeneral në Forumin investiv të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, ka vlerësuar se agjenda politike është duke vazhduar të jetë prezentë në Kosovë, në vend të asaj ekonomike.
“Është koha që vërtet ne të shohim ka e ardhmja. Është shqetësuese që për hir të interesave të caktuara dhe të tregtarëve rajonal e evropian të energjisë, ka tendenca ta dështojnë termocentralin ‘Kosova e re’. Kjo do të ketë pasoja të rënda për Kosovën dhe ardhmërinë e saj”, ka thënë Gërxhaliu.
Në këtë kontekst, Gërxhaliu ka ftuar institucionet e Kosovës të dialogojnë me kompaninë fituese në mënyrë që ky projekt të zhvillohet dhe të ec përpara, duke mos e lejuar të dështojë. Sipas tij, realizimi i një projekti të tillë do të hapte perspektivë të qartë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Më tutje, ai ka thënë se duhet të punohet që të ndërtohet termocentrali “Kosova e re”, pasi sipas tij për një kohë afatgjate do ta zgjidh problemin e furnizimit të energjisë elektrike. (RTK)