Gërxhaliu: Është koha të rishikohet marrëveshja e CEFTA-s
Sekretari i përgjithshëm në Forumin Investiv të Odave të Ballkanit Perëndimor WB6 me seli në Itali, Safet Gërxhaliu, ka thënë se tani është koha kur Kosova duhet ta rishikojë marrëveshjen e CEFTA-s duke marrë parasysh dëmet që janë shkaktuar nga kjo marrëveshje.
Kosova u bë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik të vitit 2007, tetë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për anëtarësim. Marrëveshja në atë kohë është nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rishikimin e marrëveshjes së CEFTA-s janë duke e kërkuar dhe vendet e regjionit, pasi sipas tij ekzistojnë mori barrierash në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Kohëve të fundit është duke u diskutuar shumë rreth marrëveshjes së CEFTA-s dhe funksionimit të saj, si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet komunitet i prodhuesve vendor. Andaj është moment kur Kosova duhet të përgatitet për rishikimin e kësaj marrëveshje me qëllim që të jemi në funksion të lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve. Një kërkesë e tillë është duke u aktualizuar shumë edhe sa i përket arenës ndërkombëtare dhe regjionale. Kohëve të fundit kishte ankesa edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Malit të Zi, si dhe ajo e Bosnjë Hercegovinës. Bazuar në këtë është krijuar momentumi kur edhe Kosova duhet të jetë e përgatitur për një rishikim të tillë”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai ka thënë se rishikimi i marrëveshjes së CEFTA-s duhet të bëhet nga njerëz profesionistë. “Rishikimi i marrëveshjes duhet të bëhet duke u bazuar në ekspertizë dhe kuadro të cilat mund ta ndihmojnë këtë proces, dhe mos të vazhdohet t’i lihet faji UNMIK-ut apo dikujt tjetër. Në qoftë se kemi pengesa nga CEFTA e nënshkruar nga UNMIK-u, atëherë është koha kur duhet ta kemi një dokument të përbashkët i cili nuk do të duhej të kishte pengesa. Besoj se ky dokument do të ishte i kompletuar dhe në funksion të zhvillimit të vendit dhe rajonit jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe në atë strategjik, integrueses, dhe mbi të gjitha në përmirësimin e imazhit të Ballkanit Perëndimor. Prandaj mendoj se duhet të këtë ekspertë të fushës të cilët nuk janë pjesë e klaneve të politikës por që vërtet profesionin e kanë armën më të fuqishme për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar të ardhmen e bizneseve vendore”, u shpreh ai.
Gërxhaliu ka theksuar se Kosova në këtë marrëveshje është nënçmuar. “Nuk është në pyetje vetëm disbalanci tregtar, pasi ky është vetëm një argument. Me të vërtetë ka pasur sfida të cilat kanë ndikuar që Kosova të jetë e anashkaluar, e dëmtuar dhe mbi të gjitha e nënçmuar. Një dukuri e tillë nuk është vetëm në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ankesa të shumta ka edhe në mes të Bosnjë Hercegovinës dhe Malit të Zi, po ashtu edhe në mes të Maqedonisë dhe Serbisë, por më tepër ka në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Besoj se të gjitha këto janë argumente që duhet të na motivojnë që të jemi më të përgatitur dhe ta ndërtojmë një dokument i cili do të jetë i barabartë për të gjithë. Nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të kenë legjislacion të harmonizuar me standardet evropiane, atëherë lind pyetja pse ato dokumente nuk janë të harmonizuara me vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi pengesat më të mëdha i kemi në këtë pjesë. Tani është momenti i duhur që të kërkohet shqyrtimi dhe negocimi i marrëveshjes së CEFTA-s, që një veprim i tillë është në interes të të gjithëve”, ka deklaruar Gërxhaliu.
I pyetur mund të ketë Kosova masa penalizuese në procesin integrues në qoftë se kërkohet rishikimi apo dalja nga CEFTA? Gërxhaliu është përgjigjur:
“Një ndër pikat më të dobëta që vërehet në marrëveshjen e CEFTA-s është se duhet të shikohet se a ka masa penalizuese për shkelësit e kësaj marrëveshje. Prandaj nëse do të ketë një pikë të kompletuar duhet vërtetë të ketë edhe marrëveshje penalizuese për ata që e shkelin marrëveshjen e CEFTA-s. Nuk ka problem veç Kosova me Serbinë por të gjitha shtetet e rajonit. Është qëndrim edhe i Odës së Maqedonisë së Veriut që dokumenti më fatal për vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë CEFTA. Ky dokument shumë më tepër ka dëmtuar se sa ka ndihmuar sektorin privat”, ka thënë Safet Gërxhaliu.
/Epoka e re/ Albulena MAVRAJ