Gërxhaliu: “Fondacioni Jahjaga”, mundësi e përmirësimit të imazhit të Kosovës
Oda Ekonomike e Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me “Fondacionin Jahjaga”, i cili ka për qëllim fuqizimin ekonomik të grave të margjinalizuara si dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të vendit.
Nga ky bashkëpunim fillimisht do të përfitojnë dhjetë gra nga Gjakova dhe Drenasi.
Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se “Fondacioni Jahjaga” është mundësi për zhvillimin ekonomik dhe në funksion të përmirësimit të imazhit të vendit.
“Besoj që një fondacion i tillë do të jetë garancë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Një bashkëpunim i tillë do të jetë në funksion të përmirësimit të imazhit të vendit. Ky memorandum do të jetë një mundësi e përshpejtimit të proceseve të integruese”, ka thënë Gërxhaliu.
Drejtori ekzekutiv i “Fondacionit Jahjaga”, Alban Bokshi, ka thënë se shpreson që bashkëpunimi mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe fondacionit të vazhdojë.
Ai ka falënderuar OEK-un për ndihmën që i kanë ofruar këtij fondacioni.
“Qëllimi i projektit tonë është fuqizimi ekonomik i grave të margjinalizuara. Projekti do të ndihmojë pesë gra në Drenas dhe pesë në Gjakovë. Ky memorandum është i vlefshëm për të vënë bazë në bashkëpunimin e OEK-ut dhe fondacionit tonë”, ka thënë ai.