Gërxhaliu: Inflacionin nuk e krijon qeveria, por ajo duhet ta luftojë atë

24 korrik 2022 | 13:55

Eksperti i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, ka thënë se situata ekonomike dhe sociale në Kosovë është mjaftë e vështirësuar nga pandemia dhe lufta në Ukrainë.

Ai ka thënë se është obligim institucional të mbështes qytetarin në këtë kohë krize.

“Vet fakti që kemi këtë shtrenjtim të produkteve strategjike dhe atyre elementare, inflacioni prej 14.1 për qind është shqetësim tjetër. Vet fakti se Kosova jeton nga remitencat dhe eurozona është goditur nga inflacioni 8.4 për qind  është shqetësimi i radhës. Në këtë drejtim hapi parë është që pandemia dhe kjo krizë ekonomike duhet të depolizohet, në rend të dytë, duhet të avancohet një dialog i mirëfilltë publiko-privat sepse vërtet nuk i bëhet nder zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe mbështetjes së sektorit privat në qoftë se gjithmonë bie vendime vetëm nga kabinetet qeveritare dhe jo në dialog të mirëfilltë me sektorin privat. Dhe inflacionin nuk e krijon qeveria, inflacioni krijohet por është obligim institucional që ta luftojë dhe të gjejë mekanizma si të mbështesë qytetarin, zhvillimin, si të ketë një balanc, i cili do të gjenerojë efektet pozitive dhe jo vetëm një qasje selektive. Jemi duke u ballafaquar me çmime të larta të produkteve strategjike dhe atyre elementare por besoj që qeveria duhet në këtë drejtim të ketë alternativa si t’i mbështesë qytetarët dhe si t’i minimizojë efektet negative të krizës”, ka thënë ai për “Kosovapress”.

Më tutje, Gërxhaliu, ka thënë se krahas masave të çmimeve tavan, ka edhe tkurrje të bizneseve dhe ulje të shitjeve.

“Masat paraprake sa i përket ngrirjes apo tavanit të çmimit të naftës kanë qenë një ndërhyrje e cila në rrugëtimin drejt familjes evropiane ndoshta është evidentuar si një minus, mirëpo anën tjetër po vërehet që është një stabilizim i çmimit të naftës. Por krahas kësaj e kemi një tkurrje të bizneseve, edhe shitjet kanë rënë 25 për qind. Duhet të kuptohet se në pompat e benzinës kemi reduktim të stafit dhe e tëra kjo duhet të jetë analizë e cila duhet të bëhet nga ana institucionale. Është koha kur duhet të jemi me fleksibil, por ajo që është duke i munguar Kosovës më së shumti është mungesa e analizave të mirëfillta.. Na presin sfida të shumta dhe mekanizmi kyç është dialogu i mirëfilltë publiko-privat por edhe me qytetarët”, ka thënë ai, duke kërkuar nga qeveria një deklarim të qartë në lidhje me krizën në vend.

“Vet fakti që deri më tani nuk e kemi një deklarim të qartë se vërtetë Kosova është në krizë, është shqetësimi më i madh. Kosova ka hyrë në krizë dhe kjo duhet të pranohet, në qoftë se do të neglizhohet prania e krizës në Kosovë do të dëmtohet Kosova dhe ekonomia. Është koha kur duhet të depolitizohet, kur duhet të ketë një diskurs apo një qasje më pro-aktive në mes pozitës dhe opozitës, sepse në fund Kosova dhe qytetarët e Kosovës duhet të jenë mbi interesat e partive politike dhe votave. Prandaj nuk duhet çdo veprim të jetë i kalkuluar vetëm me vota por me mirëqenie sociale. Është koha kur qytetari i Kosovës duhet ta shijojë dorën dhe ndihmën e shtetit”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të vazhdojnë ta…