Gërxhaliu: Kosova duhet urgjentisht të aplikojë për anëtarësim në OBT
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka apeluar që Kosova urgjentisht të aplikojë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), e cila aktualisht ka selinë në Gjenevë të Zvicrës.
Ai ka thënë se tregtia ndërkombëtare ndërmjet vendeve dhe rajoneve të ndryshme të botës zhvillohet në kuadrin e veprimtarisë së shumë strukturave ndërqeveritare, të cilat po luajnë një rol gjithmonë e më të madh në vendosjen e normave dhe rregullave të tregtisë së mallrave dhe të shërbimeve.
Megjithatë, sipas tij, OBT-ja me seli në Gjenevë të Zvicrës është e vetmja që ka në strukturën e saj pothuajse të gjitha shtetet e botës, përfaqësuesit e së cilave zhvillojnë diskutime dhe përfaqësojnë interesat e shteteve të tyre respektive për çështje të tregtisë, duke filluar nga tarifat dhe barrierat jotarifore e deri t shqyrtimi i politikave tregtare të vendeve anëtare të OBT-së.
“Por, Kosova, pavarësisht faktit që bisedimet dhe takimet me Organizatën Botërore të Tregtisë kanë nisur shumë kohë më parë, vazhdon të mbetet larg këtij institucioni për shkak të mosparaqitjes së një kërkese formale për anëtarësim në këtë organizatë”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se sipas mbarëvajtjes së këtij procesi deri më tani, çështja e paraqitjes së kërkesës zyrtare për anëtarësim në sekretariatin e OBT-së është tërësisht politike, pavarësisht përgatitjeve teknike që janë bërë në drejtim të anëtarësimit.
“Shikuar nga një prizëm më i gjerë, Kosova nga ky anëtarësim, fillimisht si vëzhgues, më shumë do të fitojë politikisht sesa ekonomikisht. Megjithatë, prezenca e përfaqësuesit të Kosovës në takimet dhe diskutimet rreth tregtisë botërore në OBT, ka rolin e saj kyç në përgatitje të vendit tonë për anëtarësim të plotë në këtë organizatë që rrjedhë natyrshëm pas statusit të vëzhguesit dhe përafrim të legjislacionit konform rregullave të OBT-së”, ka theksuar kreu i OEK-ut.
Gërxhaliu ka shtuar se negociatat për anëtarësim, sipas përvojave të vendeve të tjera, kanë zgjatur 5 deri në 15 vite. “Andaj është momenti i fundit kur Kosova duhet seriozisht të shqyrtojë aplikimin në OBT. Prej vendeve të rajonit, Kosova është i vetmi shtet që nuk është pjesë e kësaj organizate, madje as si vëzhgues. Nga dimensioni rajonal, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia janë shtetet e fundit që janë duke synuar anëtarësim, statusi aktual i së cilave është si vëzhgues në OBT”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka theksuar se Oda Ekonomike e Kosovës ka rekomanduar aplikim urgjent për anëtarësim në këtë organizatë me rëndësi multidimensionale edhe si vëzhgues në të njëjtin model siç kanë aplikuar edhe vendet e rajonit dhe që ky proces të mos jetë i ndikuar nga dimensioni i politikës së brendshme.
/Epoka e re/