Gërxhaliu: Koston e mbylljes është duke e paguar biznesi dhe qytetari

07 shtator 2021 | 14:43

Njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se bizneset dhe qytetarët e Kosovës janë duke e paguar një çmim të lartë të burokracisë shtetërore, qoftë kur bëhet fjalë për vaksinimin masiv si zgjidhje e vetme nga Covid-19, qoftë edhe sa i përket partneritetit me vendet mike evropiane dhe ShBA-në.

“Mungesa e përgjegjësisë institucionale dhe llogaridhënia përballë qytetarëve po i pengon shumë procese me rëndësi për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka theksuar Gërxhaliu.

Sipas tij, në Kosovë më shumë humbet kohë për të gjetur arsye për dështim se sa për të gjetur rrugë për të dalë nga dështimi.

“E vërteta është se Kosova është shumë mbrapa sa i përket vaksinimit masiv, krahasuar me vendet e rajonit. Po ashtu është mbrapa sa i përket ndihmës ndaj bizneseve dhe qytetarëve për rimëkëmbje. Ndërkaq partneriteti me vendet mike është në pikën më kritike. Edhe kur gjeostrategjia është duke ndryshuar ne prodhojmë agjendë politike ditore si tentativë për të mbuluar dështimet”, është shprehur ai, duke shtuar se koston e mbylljes është duke e paguar biznesi dhe qytetari.

Gërxhaliu ka vlerësuar se liberalizimi është vetëm një ëndërr që shumë shpresohet, por vështirë e realizueshme. “Ballkanit Perëndimor është duke u kthyer nga nacionalizmi i viteve ’90-ta. Këtë e dëshmon qasja e Kishës Serbe në Cetinje të Malit të Zi. Prandaj duhet të kuptohet se Evropa do të hyjë në zgjedhje në Francë dhe Gjermani, dhe për këtë ne duhet ta marrim fatin tonë në duart tona”, ka deklaruar ai.

Gërxhaliu ka kërkuar nga institucionet e vendit që prioritet ta kenë sundimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, vaksinimin masiv dhe mobil. Gjithashtu ka kërkuar që prioritet të jetë ndihma për rimëkëmbje ekonomike për bizneset dhe qytetarët dhe ruajtja e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori brazilian Willian ka folur për mediat vendase për transferimin…