Gerxhaliu: Ligji i Ri për Procedurat e ATK-së: Diskriminues dhe Vështirësues për Ekzistencën e NVM-ve në Kosovë

07 korrik 2024 | 10:37

Mungesa e një dialogu të mirëfilltë publiko – privat gjeneron barriera për sektorin privat dhe forcon byrokracin institucionale në dëme të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Ligji i ri për procedurat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) po krijon sfida të reja dhe të mëdha për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në vendin tonë. Një ndër ndryshimet më të diskutueshme është obligimi për kryerjen e transaksioneve përmes bankës për shumën mbi 300 €. Kjo rregullore po krijon një barrë të rëndë financiare për kompanitë e vogla dhe të mesme, të cilat shpeshherë varen nga pagesat në dorë për të mbajtur aktivitetet e tyre të përditshme.

Problemet

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shumë NVM kanë hasur në vështirësi për të mbledhur pagesat e shitjeve në kohë. Në të kaluarën, pagesat bëheshin në dorë në kohën reale të furnizimit të produkteve, ndërsa tani, çdo transaksion mbi 300 € duhet të kryhet përmes bankës. Ky ndryshim ka çuar në vonesa të shumta në ekzekutimin e pagesave nga klientët, duke zhytur shumë kompani në borxhe dhe duke krijuar një cikël negativ financiar.

Implikimet e Zgjatjes së Afateve

Ligji i ri gjithashtu përmban zgjatjen e afatit të vlerësimit tatimor retroaktiv nga 6 në 10 vite dhe zgjatjen e afatit të ruajtjes së librave nga 6 në 10 vite. Këto ndryshime përfaqësojnë një barrë të shtuar për bizneset, sidomos për NVM-të, të cilat tashmë përballen me 101 barriera në ushtrimin e veprimtarive të tyre. Kjo rritje e burokracisë dhe përgjegjësive administrative vetëm sa i komplikon më tej funksionimin e tyre.

Efektet negative të shkaktuara në Mjedisin Biznesor

Në një situatë ku sektori privat në Kosovë tashmë përballet me sfida të mëdha, këto ndryshime të ligjit janë si një goditje e dyfishtë. Nuk është çudi që shumë NVM po mendojnë të mbyllen ose të zhvendosen jashtë Kosovës, duke e bërë kështu mjedisin biznesor në vendin tonë edhe më të pafavorshëm për investitorët e huaj. Siç duket, në vend që të përmirësojmë mjedisin biznesor, po e bëjmë më të vështirë dhe të paqëndrueshëm.

Mungesa e Konsultimeve me Sektorin Privat

Një nga arsyet kryesore për këto ndryshime të papërballueshme është mungesa e diskutimeve me sektorin privat gjatë hartimit të këtyre ligjeve. Këto vendime janë marrë nga kulluqet dhe zyrat e institucioneve, pa u dëgjuar zëri i atyre që preken direkt nga këto ndryshime – bizneset private.

Sektori Privat – Heronjtë e Pasluftës

Sektori privat në Kosovë është boshti kurrizor i shtetësisë së vendit tonë. Ata janë heronjtë e pasluftës, të cilët me shumë sakrifica kanë ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie funksionale dhe të qëndrueshme. Nëse dëshirojmë një të ardhme më të mirë për Kosovën, duhet të krijojmë ligje që i mbështesin dhe i ndihmojnë këto biznese të zhvillohen dhe të përparojnë, jo t’i ngarkojmë me barriera të panevojshme dhe burokraci të tepruar.

Tentativa për rritjen e burokracis dhe qasja për barazi në varfëri duke dëmtuar sektorin privat e në veçanti atë prodhues është rreziku që po forcohet e në heshtje po zbatohet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditën e hënë do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve…