Gërxhaliu: Mbyllja e AKP-së, sfidë për Qeverinë e Kosovës
Qeveria e Kosovës në kuadër të programit, ka paraparë rishikimin e funksionimit të AKP-së.
Njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu ka deklaruar se sfidë për qeverinë e Kosovës, do të jetë mbyllja e AKP-së e proklamuar nga qeveria Kurti.
“Procesi i privatizimit në Kosovë, ka qenë i politizuar dhe në mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit, shumë më tepër e ka dëmtuar ekonominë kosovare sesa e ka ndihmuar për ta zhvilliuar atë, në veçanti ka dështuar në menaxhim të ndërmarrjeve të privatizuara me spinoff special, të cilat nuk e vazhduan zbatimin e kontratave paraprake dhe në këtë drejtim u dëmtua prodhimi, punësimi dhe imazhi i Kosovës”, tha ai.
Gërxhaliu vlerësoi se situata aktuale në AKP është mjaft sfiduese për qeverinë, ajo kërkon studim, analizë dhe dialogë të qeverisë dhe opozitën dhe avancim të dialogut publiko privat.
“Vet fakti që rreth 22 mijë konteste gjyqësore në Dhomën e Posaçme dhe rreth 2 mijë konteste në gjykatat themelore, kërkesa kreditore të aprovuara 130 milionë euro, nga të cilat deri tani janë paguar vetëm rreth 35 milionë euro, kërkesa kreditore në total të parashtruara, 1.9 miliard. 85 % prej tyre janë refuzuar nga AKP. Pas refuzimit, afër pretenduesit u janë drejtuar gjykatave dhe vlera e ankesave të ditura është afër 700 milionë euro të cilat priten vendime nga gjykatat, stafi i AKP-së është 145 në total dhe janë staf civil me kontrata që i mbron ligji, kërkesa kreditore për Trepçën janë mbi 1.6 miliard sipas kërkesave të dorëzuara në AKP, trransferimi i AKP-së në qeveri dhe marrja e pronave shorore nga qeveria, nënkupton marrjen e obligimeve kreditore në ndërmarrje dhe ekspozim serioz i buxhetit të shtetit”, u shpreh ai.
Sipas tij, ngritja e përgjegjësisë në AKP, depolitizimi, transparenca, orientimi në profesionalizëm e llogaridhënie, rishikimi dhe sundimi i rendit të ligjit duhet të jenë fokusi i dhe baza e funskionimit normal dhe në interes të shtetit në këtë agjension të rëndësishëm të vendit./RTK