Gërxhaliu: Mosliberalizimi i vizave po i ngufatë bizneset tona

20 qershor 2018 | 13:03

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu në një konferencë për medie ka apeluar që të hiqen vizat shengen për afaristët nga Kosova, pasi sipas tij 39 për qind e bizneseve kanë zvogëluar aftësinë konkurruese për shkak të mosliberalizmit të vizave.

“39 për qind e bizneseve kosovarë kanë zvogëluar aftësinë konkurruese për shkak të mosliberalizmit të vizave, kurse 44 për qind kanë humbur klientët ndërkombëtarë nga shkëputja e kontratave për shkak të mungesës së lëvizjes së lirë. Andaj në këtë drejtim nuk i bëhet nder ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik pasi koston e getoizmit po e paguan sektori privat. Kemi kompani që posedojnë parqet e veta në shtete të jashtme, por që për shkak të transportit dhe lëvizjes së lirë janë të kufizuara”, ka thënë ai.

Sipas Gërxhaliut, pasojat më të mëdha nga mosliberalizmi i vizave po i bartë biznesi dhe shoqëria, por jo edhe klasa politike, e cila ka pasaportë diplomatike.

“Pasojat më të mëdha janë ndikimi tek efektet ekonomike, politike, ngadalësimi i proceseve integruese, getoizmi i tillë po ndikon në aspektin kulturor, edukativ dhe psikologjik. Në Kosovë kemi 1 500 përpunues druri dhe është e pamundur operimi i tyre i mirëfilltë në shtetet tjera, sepse duke filluar nga shoferi e tutje duhet të aplikojnë për vizë”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka shprehur indinjatën e tij ndaj ambasadës së Austrisë në Shkup, e cila sipas tij ndaj kosovarëve dhe bizneseve po sillet në mënyrë jodemokratike. “Personeli i ambasadës së Austrisë në Shkup ka qasje të brishtë ndaj nesh. Kjo nuk është në kohezion me demokracinë”, është shprehur ai.

Po ashtu, edhe afaristi Suad  Tafleshi, ka treguar sfidat më të cilat përballet biznesi i tij. “Ne kemi linjën vendore dhe ndërkombëtare dhe shoferët tanë duhet të aplikojnë për viza vazhdimisht në mënyrë që të mund të punojnë. Nga 12 shoferë sa kishim tani janë vetëm 2 që kanë viza. Apeloj tek institucione e vendit dhe Oda Ekonomik e Kosovës që të jenë të zëshme në këtë drejtim”, ka thënë Tafleshi.

A.MAVRAJ / Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur tryeza e partive politike e thirrur nga Partia…