Gërxhaliu: Mungesa e dialogut social në Kosovë dërgon ligjin mbi pagën minimale në Kushtetuese
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mungesa e dialogut social në Kosovë e ka dërguar Ligjin mbi Pagën Minimale në Gjykatën Kushtetuese.
Gërxhaliu ka thënë se Kosova është para sfidave të shumta të natyrës politike, ekonomike, sociale dhe integruese, dhe sipas tij, dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës është fakti se shumë ligje të miratuara në Kuvendin e Kosovës po përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese, që vërtet thotë se po e dëmtojnë imazhin e Kosovës, raporton “Epoka e re”.
“Sa i përket ligjit për pagën minimale kemi paralajmëruar se ka parregullsi. Pra, ka një mungesë të dialogut të mirëfilltë publiko-privat, por në veçanti ka një mungesë sa i përket dialogut social dhe në këtë drejtim është pritur që do të ketë reagime të ndryshme nga vet fakti se ky ligj bie ndesh me ligjin mbi pagën në administratë. Ju e dini se në administratë kemi koficent 2 që një koficent është 105 euro dhe kemi pagë me 210 euro. Në anën tjetër është paraparë që të kemi pagë minimale 264 euro. Dhe ky është kundërshtimi i parë”, thotë Gërxhaliu.
Ai ka thënë se në këtë drejtim nuk ka dialog të mirëfilltë.
“Aty ku mungon dialogu adresa duhet të jetë Gjykata Kushtetuese dhe në këtë drejtim po besoj se mungon shumë më tepër një elaborim pse 264 paga minimale apo më e madhe dhe po mungon një analizë e mirëfilltë për të parë sesa janë pagat në nivel rajonal. Në qoftë se i shihni vendet e Ballkanit ka vërtet një laramani sa i përket pagave. Në këtë drejtim duhet të jetë fokus edhe orientimi i Kosovës sa i përket përcaktimit të nivelit të pagës minimale. Definitivisht kostoja më e madhe po paguhet në mungesë të dialogut, një arrogancë dhe një distancë e pushtetit. Dhe e gjithë kjo po sjell pakënaqësi te qytetarët. Çdo ditë kemi revolta dhe nuk ka armë tjetër për të minimizuar këto tensione të krijuara në Kosovë sa i përket ligjeve, implementimit të tyre, pagës minimale pa një dialog të mirëfilltë që për fat të keq Kosovës është duke i munguar”, është shprehur Gërxhaliu.