Gërxhaliu, opozitës: Nuk është zgjidhje e të gjitha problemeve vetëm dërgesa e disa ligjeve në Kushtetuese
Njohësi i çështjeve ekonomike, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se gjatë vitit që lamë pas vendi ynë ka pasur një opozitë e cila ka qenë shumë më tepër e gatshme për t’iu gëzuar dështimeve të pozitës sesa të jetë kritike dhe aktive në korrigjimin e kësaj qeverie.
“Është e vërtetë se me një opozitë sterile të tillë do t’i mundësohet pozitës apo qeverisë aktuale të udhëhequr nga Vetëvendosje një fitore në cilado zgjedhje që do të mbahen në të ardhmen, prandaj në këtë drejtim besoj duhet të kuptohet e vërteta që Kosova është e të gjithëve dhe roli i opozitës është jo vetëm të jetë vëzhguese, por të jetë një zë kritik në emër të qytetarëve dhe të votuesve. Në fund të fundit, nuk duhet t’i gëzohemi dështimit të Kosovës, por sukseseve të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim kemi më shumë arsye për brengosje se krenari, sepse kemi dështim në aspektin politik, kemi dështim në aspektin diplomatik, kemi trende negative ekonomike dhe sociale. Besoj se të gjitha këtyre fenomeneve iu gëzohet opozita, gjë e cila e dëshmon një papjekuri që nuk korrespondon me partitë shtetformuese çfarë janë LDK-ja dhe PDK-ja. Nuk është zgjidhje e të gjitha problemeve vetëm dërgesa e disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, por vërtet debat konstruktiv nuk kemi pasur dhe, si duket, dy partitë më të mëdha shumë më tepër janë marrë me aktivitete për ta gjetur rrugën e humbur drejt ardhmërisë sesa për të qenë një opozitë konstruktive, opozitë e cila me angazhim do të kontribuojë në zhvillim ekonomik të Kosovës, stabilitet politik, diplomaci aktive. Në fund të fundit, Kosova është e të gjithëve dhe jo vetëm e pozitës aktuale”, ka thënë Gërxhaliu pwr “Epokën e re”.