Gërxhaliu: Pagesa e dënimit ndaj ‘ContourGlobal’, dëshmi e fitores së mafisë ballkanike për energji elektrike e lidhur me politikanë vendorë
Në mbledhjen e djeshme Qeveria e Kosovës mori vendim për të miratuar pagesën prej 21 milionë euro si dëmshpërblim ndaj kompanisë “ContourGlobal”.
Kryeministri Albin Kurti tha se ndarja e këtyre mjeteve vjen pasi që “ContourGlobal” ka fituar ndaj Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
“Viteve të fundit kemi shënuar fitore të njëpasnjëshme në këtë gjykatë që në vlerë të përgjithshme janë përafërsisht 7-fish më shumë se dëmshpërblimi prej 21 milionë eurosh që jemi detyruar të paguajmë në këtë rast. Duke pasur parasysh kontratën e nënshkruar nga pararendësit tanë dhe dëmet e shtetit nga ai projekt, kjo megjithatë është e keqja më e vogël”, ka thënë Kurti.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se pagesa e dënimit ndaj “ContourGlobal” është dëshmi e fitores së mafisë ballkanike për energji elektrike e lidhur me politikanë vendorë.
“Pagesa e dënimit ndaj ‘ContourGlobal’ është dëshmi e fitores së mafisë ballkanike e lidhur me strukturat politike kosovare në të kaluarën. Jemi dëshmitar të asaj që Kosova është shndërruar në një shtet eksperimental ku më tepër mbrohen interesat e grupeve të caktuara dhe lufta për pushtet se sa që mbrohet interesi i shtetit, e të punohet në krijimin të mirave të cilat do të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, stabilitetit social, të përshpejtimit të proceseve integruese dhe të përmirësimit të ambientit biznesor në Kosovë. Me kujtohet ceremonia e hapjes së pakos tenderuese dhe nënshkrimi i marrëveshjes me ‘ContourGlobal’ e cila u bë në objektin e Qeverisë së Kosovës para disa vitesh, dhe në pyetjen e një gazetari: Se si e vlerësoi këtë marrëveshje? Më kujtohet kur kam thënë se është një marrëveshje e rëndësisë strategjike, politike, ekonomike, integruese, sociale, por mbi të gjitha duhet të kuptohet se do të jetë vështirë të realizohet falë fuqisë lobuese të mafisë ballkanike. Dhe në këtë drejtim nuk shkoi një kohë e gjatë dhe u arrit një vendim që të ndërpritet kontrata me ‘ContourGlobal’ dhe Kosova në vend që të jetë një shtet që prodhon energji elektrike për nevoja të qytetarëve dhe të biznesit, të jetë eksportuesi i energjisë elektrike, u shndërrua edhe më tutje shtet i varur nga importi i energjisë elektrike”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka theksuar se kjo ndodhi në kohën kur Kosova dhe Evropa kishte nevojë për energjie elektrike. “Ndodhi kur në Mal të Zi, Bosnjë Hercegovinë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut funksiononin dhe u ndërtonin kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike në thëngjill, dhe falë patriotëve ambientalë të lidhur me politikanë të kriminalizuar të vendosur në pushtetin e Kosovës, të lidhur me mafinë ballkanike – duke filluar nga Londra, Banjalluka, Beogradi, Tirana dhe Prishtina u ndërpre një projekt i cili ka pasur rëndësi strategjike për të ardhmen e Kosovës”, është shprehur ai.
Gërxhaliu ka thënë se në këtë drejtim përveç që sot je i varur nga importi, përveç që i ke dy Termoelektrana që në realitet janë të vdekura por funksionojnë, sot Kosova është e gjobitur dhe e penalizuar.
“Janë paguar 21 milionë euro dëme përball ‘ContourGlobal’. Kjo është kur mungon përgjegjësia institucionale, kur hajdutët ndërrojnë emrin dhe nga hajdutë e kriminelë shndërrohen në biznesmen kontrovers dhe këta biznesmenë kontrovers bëhen pjesë e politikës. Aty ku krimi e politika bëhen bashkë atëherë nuk duhet të na habit fakti se Kosova paguan në penale, qoftë në Telekom, Postë, në institucione të tjera publike, sepse kjo është vula, adresa e krimit që e ka kapluar Kosovën dhe që heshtet çdo ditë e më tepër”, ka thënë Gërxhaliu.