Gërxhaliu paralajmëron mbajtjen e një forumi të madh ekonomik Kosovë-Slloveni
Ambasadori i Sllovenisë në Kosovës, Bojan Bertoncelj, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, është takuar të martën me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu.
Në këtë takim u diskutua për forumin ekonomik në mes të komunitetit të biznesit slloven dhe atij të Kosovës.
“Takimi në fjalë do të organizohet më 13 mars të këtij viti dhe pritet që në delegacionin e Sllovenisë të jenë afër 40 ndërmarrje të sektorëve të ndryshme, duke filluar nga ndërtimtaria, prodhimtaria, infrastruktura, edukimi, IT dhe telekomunikimi, si dhe fusha të tjera të cilat do të jenë interesante për zgjerim të bashkëpunimit.”, është thënë në komunikatën për medie të zyrës për informim të OEK-ut.
Sipas kësaj komunikate, takime të tilla janë një mundësi e mirë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik i cili bazohet edhe në raporte shumë të mira politike në mes të dy shteteve mike.
“Sllovenia ka kaluar me sukses procesin e tranzicionit dhe sot është anëtare e barabartë në familjen evropiane prandaj ky forum ekonomik do të jetë një mundësi e mirë që nga format klasike të bashkëpunimit ekonomik të kalohet në forma të avancuara e në veçanti në hulumtimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta të financuara nga fonde të ndryshme ndërkombëtare e në veçanti nga IPA – fondet theksoi Gërxhaliu”, është thënë në komunikatën e OEK-ut.