Gërxhaliu për mbylljen e lojërave të fatit: Vendimet e tilla duhet të analizohen
Ish-kreu Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, vendimin e institucioneve shtetërore që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm, duke shfuqizuar edhe Ligjin e deritashëm për lojërat e fatit, e vlerëson si veprim të pamenduar, të ngutshëm dhe eksperiment të rrezikshëm.
Sipas tij, në vend pezullimit të ligjit dhe mbylljes së bizneseve, institucionet është dashur të marrin përgjegjësi dhe t’i kryejnë detyrat e tyre monitoruese.
“Nuk është zgjidhje vetëm pezullimi i Ligjit ose mbyllja e lojërave të fatit. Shumë më me rëndësi është rritja e përgjegjësive institucionale dhe individuale, të ketë standarde dhe kritere që duhet të përmbushen, sepse në fund të fundit, nëse dikush do të ketë goditje është buxheti i shtetit. Dhe, mbi të gjitha do të ketë edhe pasoja tjera, sepse pa marrë parasysh fushë-veprimtarinë e tyre, do të ketë 5 deri në 15 mijë të papunë. Prandaj, mendoj se vendime të tilla, më parë duhet të analizohen, të ketë informacione nga të gjithë akterët relevantë dhe tek atëherë të vendoset për një pezullim të tillë”, vlerëson Gërxhaliu, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.