Gërxhaliu: Ratifikimi i demarkacionimit epokë e re për ekonominë, institucionet të mos ndalen me kaq
Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin është fillimi i një epoke të re për ekonominë në Kosovë, deklaroi Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, në konferencën për media të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane e Kosovës.
Gërxhaliu teksa theksoi presionin që OEK-ja dhe institucionet e tjera e kanë bërë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, deklaroi se Kosova ka humbur shumë në këto tri vite sa është mbajtur peng kjo marrëveshje.
“Janë tri vite të humbura dhe besoj që në këto tri vite Kosova ka pësu humbje multidimensionale. Dua të besoj që është një momentum i ri që nuk duhet të na krijojë vetëkënaqësi. Nuk ka përfunduar me demarkim procesi i integrimit, na presin sfida të shumta. Është kohë e sfidave sepse tri vite të humbura kanë pasoja negative. Por dua të besoj që në të ardhmen qytetarët do të jenë ata që vendosin”, ka thënë ai.
Kryetari i OEK-së ndër të tjera ka përmendur edhe mungesën e furnizimit me energji elektrike.
“Çështja e furnizimit me energji elektrike është një dëshmi që në Kosovë është duke u humbur kohë. Nuk i bëhet nder Kosovës që të jetë e varur nga importi. Ai që po pëson më shumë me mungesën e energjisë elektrike është qytetari dhe bizneset”, ka thënë Gërxhaliu.
Gërxhaliu gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e fundit lidhur me importin e mishit në Kosovë.
Ai ka thënë se e gjithë kjo situatë është duke ndodhur për shkak se çështjet politike i kanë lënë në hije çështjet e tjera që e prekin drejtpërdrejt qytetarin.
I shqetësuar me këtë situatë ishte edhe kryetari i OEAK-së, Arian Zeka.
Ai ka thënë se skandali i fundit është tregues më i mirë për punën jo të mirë dhe joefikase që po e bën Agjensioni i Veterinës si rezultat i mosfuqizimit nga institucionet.
“Ligji i fundit për shoqëritë tregtare i cili ka ndryshuar me një propozim, i cili kalon aty për aty dhe i cili në mënyrë arbitrare vendos kuota sa i përket përfaqësimit gjinor në bordet e shoqërive tregtare. Edhe ne, por edhe OEAK-ja kanë pasë qëndrime kundështuese. Ne besojmë që do të ketë edhe më tej ndikim negativ në tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Skandali i fundit besoj që është treguesi më i mirë i punës jo të mirë dhe joefikase që e bën ky institucion”, është shprehur Zeka. (Ekonomia Online)