Gërxhaliu: Sistemi ETIAS nuk është vetëm për Kosovën

16 tetor 2022 | 11:08

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se të dhënat e fundit nga Frontex, the European Border and Coast Guard Agency konfirmojnë se numri i hyrjeve ilegale në BE në nëntë muaj të parë të vitit 2022 kanë shënuar rritje prej 70% krahasuar me vitin e kaluar.

“Ky është rekordi i hyrjeve ilegale në BE-që për nëntë muaj të parë që nga viti 2016; dhe gjysma e këtyre kalimeve ilegale kanë hyrë në BE përmes Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Gërxhaliu në “Facebook”.

Ai ka thënë se krahasuar me vitin e kaluar kjo është rritje prej 170% të hyrjeve ilegale përmes rajonit tonë.

“Sirianët dhe Afganët kanë qenë shtetësi kryesore migruese. ETIAS nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën por me mbarë rajonin dhe kufijt Evropian. Pra është preventivë për parandalimin e hyrje daljeve ilegale në veqanti nga vendet me kriza të ndryshme”, ka bërë me dije Gërxhaliu.

Akoma ka vende, në krye të së cilave është Franca, të cilat duan që vendimin për liberalizimin e vizave, apo hyrjen e tij në fuqi, ta ndërlidhin edhe me disa çështje tjera.

Ndër to janë vënia në funksion e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, përshtatja e Kosovës me politikën e vizave të BE-së, rritja e kontrollit të kufijve dhe vazhdimi i riatdhesimit të atyre që duhet të lëshojnë territorin e BE-së.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, por ky sistem akoma nuk është funksional.

Në atë sistem, qytetarët e shteteve për të cilat janë liberalizuar vizat, duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre para se të udhëtojnë në BE.

Atëherë do të marrin konfirmimin elektronik dhe kjo do të vlejë për tre vjet.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi është shtyrë disa herë për shkaqe teknike. Ai pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, por do të bëhet plotësisht funksional më 1 nëntor të vitit 2023.

Prandaj, kërkesa e Francës, sipas disa interpretimeve të diplomatëve, do të mund ta shtynte hyrjen në fuqi edhe të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën deri në nëntor të vitit që vjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka bërë me dije…