Gërxhaliu: Të mos nënvlerësohet kontributi i diasporës

09 maj 2020 | 16:31

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka deklaruar se Kosova duhet të përgatitet për një rirenditje ekonomike me përkrahjen e diasporës.

Sipas tij,  sfida më e madhe në të ardhmen do të jetë lufta kundër pandemisë ekonomike dhe sociale.

“Është e vërtetë se pas pandemisë së koronavirusit bota nuk do të jetë më ajo që ka qenë. Në të njëjtën, kohë Kosova duhet të përgatitet për një rirenditje të re ekonomike dhe në këtë drejtim sfida më e madhe në të ardhmen do të jetë lufta kundër pandemisë ekonomike dhe sociale. Jemi dëshmitarë të një realiteti i cili tashmë është krijuar. Vërtet mundësitë financiare të Kosovës janë të kufizuara, prandaj është koha të orientohemi për gjetjen e alternativave për t’i mbështetur proceset ekonomike, stabilitetin social dhe ndërtimin e një ekonomie pak më ndryshe pas koronavirusit. T’ju them të drejtën, më shqetëson diskursi i bisedave të fundit ku në mënyrë tendencioze qarqe të caktuara dëshirojnë ta promovojnë një ndjenjë për ta minimizuar kontributin e diasporës kosovare kudo në botë. Duhet të kuptohet që kontributi i diasporës ka qenë, është dhe do të jetë substancial për Kosovën, edhe pse në këtë pandemi edhe diaspora e Kosovës është e goditur, por është koha që diaspora të trajtohet me një qasje pak më ndryshe”,  ka deklaruar Gwrxhaliu, shkruan “Rtklive”.

Sipas tij, nuk duhet gjithmonë të jetë aspekti financiar determinues në raportet Kosovë – diasporë.

“Duhet ta kemi parasysh përfshirjen e diasporës në shumë procese në Kosovë. Duhet të shfrytëzohet bagazhi profesional dhe intelektual i diasporës, mbi të gjitha përvoja dhe tradita që e ka ndërtuar me vite dhe me plot sukses në vendin ku jeton dhe vepron. Prandaj, besoj se për projekte të mëdha kapitale duhet të kalkulohet partneriteti me diasporën dhe në këtë drejtim besoj se përfshirja e diasporës dhe kontributi i saj do të jetë i pakontestuar. Por, nuk duhet të jemi shoqëri mosmirënjohëse e të flasim për një frymë antievropiane, për një frymë antiamerikane dhe për një frymë antidiasporë. Definitivisht, në qoftë se vazhdohet me këtë trend, dëshmohet se në Kosovë nuk kemi krizë ekonomike, sociale, por krizë morale. Sepse të përdorësh kampanja të tilla kundër atyre që kanë shtrirë dorën për Kosovën në netët më të vështira është amoralitet, por dua të besoj se është një eufori politike dhe jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe falënderues kontributit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve evropiane, në veçanti diasporës sonë”, u shpreh ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani, ka…