Gërxhaliu: Të ngrihet akciza në importin e naftës për 3 deri në 6 muaj

09 qershor 2022 | 16:25

Eksperti i ekonomisë dhe ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se duhet të ngrihet akciza në importin e naftës për tre deri në gjashtë muaj.

Ai ka thënë se shtete të shumta kanë marrë hapa konkret për të ulur efektet negative të krizës ekonomike, në veçanti për importin e produkteve strategjike dhe të atyre bazike apo elementare.

“Në Kosovë kemi një dukuri ku Qeveria promovon rritje të të hyrave buxhetore në aspektin financiar falë ngritjes së çmimeve dhe inflacionit por nuk tregon për rënie të importeve në aspektin sasior apo volumit për afër 9 për qind. Kjo situatë është shqetësuese sepse paralajmëron tkurrje ekonomike për vendin. Një problem aktual në Kosovë është çmimi i lartë i naftës së importuar, prandaj duhet shteti të reflektojë me ngrirje të akcizës për importin e naftës për 3 – 6 muaj siç kanë vepruar Gjermania, Kroacia, Mali i Zi dhe vende të tjera”, ka shkruar Gërxhaliu në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se pakënaqësia e bizneseve po rritet por edhe trendet ekonomike janë alarmante në qoftë se vazhdohet kështu.

“Çmimi i një tonë nafte është 1,343 euro. Çmimi për një litër është 1, 1003 euro. Transporti për një litër naftë është 0,0188 euro. Çmimi i naftës deri në kufi për doganim është 1,1191 euro.
Akciza për litër është 0,36 euro. Çmimi me akcizë të paguar të paguar për naftë është 1,4791 euro.
Tatimi në vlerën e shtuar (TVSH) 18% është 0,2662 euro. Çmimi final për litër pa fitim është 1,7453 euro.
Prandaj besoj se nga kjo analizë mund të kuptohet rëndësia e ngrirjes së akcizës në import. Të kuptohet nuk bëhet fjalë për heqje por për ngrirje! Të mos humbet kohë për arsyetim të dështimit por gjeni rrugë për të dalë nga kjo situatë dhe qytetarëve e bizneseve t’ju mundësohet shijimi i dorës së shtetit.
Grevat dhe kufizimet e fitimit nuk janë zgjidhje për ekonominë dhe tregun e lirë!”, ka shkruar Gërxhaliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetarja e njohur, Rudina Demneri, ishte ditën e djeshme e…