Gërxhaliu thotë se ishin pesë faktorë që ndikuan në rritjen e të hyrave të brendshme të ATK-së

04 prill 2023 | 12:43

Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson lart performancën e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas tij, ky raport pasqyron saktë rritjen e të hyrave tatimore, si rritjen më të madhe të Kosovës në Ballkanin Perëndimor.

“Ndërsa sipas këtij raporti konfirmohet se 1/3 e rritjes i atribuohet rritjes së formalizimit të ekonomisë si rezultat i inspektimeve dhe kontrolleve të ATK-së. Një pjesë e të hyrave sipas këtij raporti është rritur edhe si rezultat i rritjes ekonomike dhe rritjes së formalizimit të punëtorëve (TAP)”, ka shkruar Gërxhaliu në “Facebook”.

Ai ka theksuar se totali i të hyrave në vitin 2022 ka qenë 2.25 miliardë euro. “Të hyrat e ATK-së në vitin 2022 = 723.9 milionë euro. Të hyrat e Doganës në vitin 2022= 1.52 miliardë euro. Rritja e të hyrave në ATK vitin 2022 në raport me vitin paraprak ishte 21.4 për qind, ndërsa e Doganës 11.4 për qind”, është shrehur Gërxhaliu.

Ai ka thënë se rritja e të hyrave të brendshme nga ATK-ja ka ndodhur si rezultat i pesë faktorëve.

“1. Zgjerimi i bazës tatimore, me rritje të numrit të bizneseve paguese të tatimit (rreth 10 për qind rritje e numrit të bizneseve paguese). 2. Rritja e efikasitetit në inkasimin e borxheve tatimore. 3. Rritja e formalizimit të ekonomisë në përgjithësi, formalizimi i punëtorëve. 4. Qasja e re e trajtimit të rreziqeve mospërmbushjes tatimore, pra nga viti 2019 kemi qasje sektoriale të trajtimit rreziqeve tatimore. 5. Ngritja e llogaridhënies dhe përgjegjësisë tek stafi i ATK-së, pra kemi ngritje të disiplinës në ATK. Kjo dëshmon se partneriteti publiko-privat në Kosovë nuk ka alternativë dhe se sektori privat meriton trajtim më të mirë institucional”, ka thënë Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nikotina është një kimikat në përbërjen e cigareve dhe shërben…