Getoar Mjeku anëtarësohet në Vetëvendosje
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka bërë me dije se juristi dhe publicisti Getoar Mjeku sot ka aderuar në këtë parti.
Ai ka thënë se Vetëvendosja ka fituar një profesionist të ri, një jurist të ditur dhe një patriot të devotshëm.
“Me Getoarin kemi fituar një profesionist të ri, një jurist të ditur dhe një patriot të devotshëm. Drejt fitores, natyrisht”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Sot u mbushën 20 vjet prej se u kthye nga Franca refugjati 12 vjeçar. Getoar Mjeku sot u anëtarësua në Vetëvendosje! Është jurist dhe publicist i cili i ka mbaruar studimet katërvjeçare, me lëvdata të larta, programi i nderit i Universitetit “Texas Lutheran”, 2010, për të vazhduar si Juris Doctor, me lëvdata, Universiteti “Southern Methodist”, Dallas, 2014. Ka mbaruar edhe programe arsimore në Ëashington D.C., Oxford të Anglisë dhe Kostarikë.
Përvoja e tij juridike është ajo e avokatit të licencuar në ShBA, i përqendruar në çështje ekonomike ndërkombëtare. Ka punuar me ekipin e avokatëve të kompanisë “Thomson Reuters” dhe firma të respektuara në Dallas e Houston, dy prej qyteteve më të mëdha në Teksas, përgjatë viteve 2012–2015. Është kthyer në Kosovë pas 10 vjetësh në Amerikë, duke punuar si këshilltar juridik me organizata të zhvillimit ndërkombëtar dhe institucione e ndërmarrje publike, duke përfshirë Agjencinë e Privatizimit dhe Telekomin e Kosovës.
Getoari ka qenë edhe gazetar i sportit në RTV 21 (2004–2005), gazetar te Zëri i Amerikës (2010–2011), përkthyes i dy librave nga shqipja në anglisht, redaktor i botimeve të ndryshme, autor punimesh akademike nga e drejta ndërkombëtare e krahasimtare, promovon shkrimin në gjuhë të thjeshtë, veçanërisht në tekste juridike, shkruan vështrime e letërsi për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, përkrah ringjalljen e emrit Dardani për shtetin tonë, që është pjesë e pandashme e kombit shqiptar.
Me Getoarin kemi fituar një profesionist të ri, një jurist të ditur dhe një patriot të devotshëm. Drejt fitores, natyrisht.
/Epoka e re/