Gexha-Bunjaku dhe komandanti i KFOR-it: Vaksinimi kundër Covidit, i rëndësishëm
Ushtruesja e detyrës se ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka pritur në takim mikpritës komandantin e ri të Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ferenc Kajari.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ajo i ka uruar suksese gjeneralmajorit në detyrën e re dhe i ka shprehur mirënjohjen për rolin e KFOR-it në mbështetjen e vazhduar ndaj komuniteteve në Kosovë dhe asistencën e ofruar Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve shëndetësore edhe gjatë pandemisë Covid-19.
Në takim është biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, të komunikimit të ndërsjellë dhe ndërveprimit institucional në shërbim të qytetarëve.
Ministrja Gexha-Bunjaku dhe gjeneralmajori Kajari kanë vlerësuar se vaksinimi kundër Covid-19 dhe zbatimi i masave parandaluese nga përhapja e virusit është i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit publik të qytetarëve.