Gexha nga Klinika e Onkologjisë: Në nëntë muajt e fundit janë trajtuar 400 gra të moshës 50-vjeçare
Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, ka vizituar Klinikën e Onkologjisë, ku nga atje ka thënë se janë të përkushtuar në sigurimin e barnave dhe në përgatitjen e planit nacional për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
“Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit e shprehur në veçanti tek gratë. Të dhënat tregojnë se 1 në 8 gra preken nga kanceri i gjirit dhe vetëm trajtimi i hershëm e rrit shkallën e mbijetesës. Nga të dhënat e Onkologjisë, në nëntë muajt e fundit janë trajtuar 400 gra të moshës 50- vjeçare”, ka thënë Gexha.
Më tutje, ajo ka thënë se bashkëpunimi i institucioneve shëndetësore, profesionistëve shëndetësorë mbetet arma më e fortë për parandalimin e kancerit të gjirit.
“Bashkëpunimi i institucioneve shëndetësore, profesionistëve shëndetësor mbetet arma më e fortë kundër kancerit të gjirit. Inkurajojmë gratë dhe burrat që ta rrisin kujdesin dhe vetëkontrollin. Ne u informuam nga drejtori i Klinikës Onkologjike për sfidat e punës së kësaj klinike, terapitë dhe probleme tjera, andaj si ministri e Shëndetësisë jemi të përkushtuar që luftën kundër kancerit të gjirit ta bëjmë me një plan nacional”, është shprehur Gexha. /EO/