Gëzim Mehmeti i AKR-së viziton klubin e boksit “Gollaku”, premton ndërtimin e qendrës olimpike
Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, Gëzim Mehmeti nga AKR vizitoi klubin e boksit “Gollaku” në Prishtinë ku para sportistëve u zotua se do të ndërtojë Qendrën Olimpike te Tulltorja – ish Cigllana.
“E përgëzoj Besim Brahimin për 6 medalje të arta të fituara dje dhe një të argjendtë. Klubi i Gollakut ka afro 100 të rinj dhe të reja dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për Prishtinën kur një klub largon 100 të rinj nga rruga ku përveçse na gëzojnë me medalje por edhe kontribuojnë në mirëqenien sociale. Unë zotohem se brenda mandatit tim për klubin e boksit të Gollakut do të jetë një sallë e veçantë aty ku kemi paraparë ndërtimin e kësaj Qendre Olimpike te tulltorja – ish Cigllana e cila i ka rreth 11 hektarë”.
Kurse nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli tha se këtë klub dhe disa klube të tjera sportive herë pas here i subvencionon dhe foli për çështjen e rikthimit në aset të komunës tokën tek Tulltorja.
“Komuna e Prishtinës i subvencionon për mbi 350 klube sportive dhe nuk është e mundur që të ngjitemi tek çdo klub me aq kapacitet buxhetor sa posedojme mirëpo përfitues ka qenë edhe ky klub. Ish territorin te Tulltoja të cilin vetë e kam negociu të jetë si aset i komunës 11 hektarë ka qenë i paraparë ndërtimi i një palestre për artet marciale. Kam pas një premtim për një donacion nga një shtet prestigjioz ku pikërisht gjeneza e arteve marciale vjen nga atje mirëpo nga vonesat që ky aset të kthehet në pronë të komunës, ne mund të themi se e humbëm atë premtim por ne zotohemi se gjatë mandatit tonë këtë Qendër Olimpike do ta ndërtojmë.
Ndërsa Besim Brahimi trajneri i klubit të boksit “Gollaku” tha se shpreson në përkrahje.
“E falënderoj Gëzimin për vizitën në klubin tonë. Gëzimi është rritur me vëllezërit e mi, i besojmë fjalëve të tij sepse ne na kanë ardh edhe politikanët e tjerë dhe na kanë premtuar por të gjithë politikanët e kanë derën çelur, por Gëzimi ka qenë këtu edhe pa qenë politikan. Unë shpresoj që të na përkrahin për një palestër për shkak se këtu jemi duke paguar qira”.
Kujtojmë se Gëzim Mehmeti kandidon për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e AKR-së në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
https://www.facebook.com/724059832/videos/262571929097920/