Gëzim Shala thotë se Kushtetuesja mund ta anulojë në tërësi Ligjin e Pagave
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se Gjykata Kushtetuese ka mundësi që ta anulojë në tërësi Ligjin për Paga.
Sipas tij, kjo gjykatë i ka dy mundësi nëse gjen shkelje kushtetuese.
“Mundësia e parë është që vetëm norma të caktuara të ligjit të cilat konsiderohen se janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të shfuqizohen dhe që pjesa tjetër e ligjit të mbetet në fuqi.
Mirëpo nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se ato nene më pastaj prekin tërësinë e ligjit ka mundësi që ta anulojë gjithë ligjin dhe të obligojë Qeverinë dhe Kuvendin që të rifillojë draftimin e ligjit në mënyrë që të draftohet një ligj në përputhje me Kushtetutën dhe me kërkesat e aktgjykimit”, tha ai në emisionin “Info Nata”, në Tëvë1.
Tutje Shala deklaroi se ka pasur raste edhe në të kaluarën kur Gjykata Kushtetuese ka anuluar vetëm nene të caktuara.
“Shembull ka qenë Rregullorja e Kuvendit ose ka qenë Ligji për Zyrtarët Publikë që ka anuluar vetëm në raport me institucionet e drejtësisë dhe institucionet e pavarura kushtetuese dhe jo me pjesën tjetër apo ka qenë edhe rasti i Ligjit të Pagave kur e ka shfuqizuar tërësisht ligjin”, shtoi ai.